Shoqata e Bankave të Kosovës (ShBK) mbajti konferencën vjetore me temën “Reduktimi i transaksioneve me para të gatshme: Mundësitë dhe sfidat”.
Me këtë rast u tha se në sistemin bankar në Kosovë janë aktive 2 milionë llogari bankare dhe rreth 500 bankomate. Transaksionet me kartela kanë shënuar rritje, por ende është i ultë përdorimi i transaksioneve elektronike. Pjesëmarrësit e konferencës thanë se duhet të ndërmerren iniciativa dhe veprime për të rritur transakasionet pa para të gatshme, raporton Ekonomia Online.
Petrit Balija, drejtor Ekzekutiv i ShBK-së, adresoi çështjen e reduktimit të transaksioneve me para të gatshme.
Balija tha se në Kosovë ka mungesë të kuadrove për treg të punës. “Bankat komerciale punojnë në ngritjen e profesionalizimit për sektorin bankar dhe kjo ndikon dhe në ekonominë e vendit”, tha Balija.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të ShBK-së, Ilir Aliu, tha se sektori bankar është kontribuues në zhvillimin e kuadrove të reja profesionale.
“Indikatorët kyç të përformancës këtë vit po arrijnë limite të reja. Sektori bankar ka 3 miliardë euro. 10 për qind kemi kredi dhe kemi ende hapësirë për të financuar projekte. Ka pasur rritje të depozitave dhe është përcjell me rritje të kredisë. Kreditë familjare arrijnë shumën në 874 milionë euro, ndërsa kreditë nga bizneset 1 miliard euro”, tregoi Aliu.
“Këtë vit kemi rritur 95 milionë euro kreditë nga personat fizikë dhe kamatat janë më të ulëta se vitin e kaluar. Si kredi të reja janë rreth 1 miliard euro. Sektori i tregtisë është dominant, dhe merr pjesë me 50 për qind. Ndërsa këtë vit ka pasur rritje të prodhimit edhe pse ishte lënë anash viteve të kaluara nga bankat. Kemi 185 milionë euro kredi për sektorin e prodhimit”, saktësoi ai.
“Sektori bankar i Kosovës qëndron mirë në vazhdimësi. Jemi 3,6% me normën e kredive të këqija. Të hyrat janë stabile për sektorin bankar, i cili është profitbail; ka kthim të investimit të mirëfilltë e cila lejon të avansohet shërbimi dhe oferta. Të hyrat nga interesi në vitin 2010 ishin 175 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 të hyrat kanë arritur shumën 187 milionë euro”.
Fehmi Mehmeti, ushtrues detyre i guvernatori të BQK-së, tregoi se në sistemin bankar në Kosovë, janë aktive 2 milionë llogari bankare dhe 500 bankomate.
“Sektori bankar vazhdon të ketë rol kyç më zhvillimin e ekonomik të vendit. Në këtë vit bankat kanë avansuar në kualitetin e shërbimeve bankare dhe avansimin e tyre për klientë. Jemi dëshmitarë të zhvillimit të shpejtë teknologjik që ka eliminuar kufijtë fizikë, që ka mundësuar qasje në sistemin elektronik, duke mundësuar një qasje më të lehtë dhe të shpejtë për klientët”, tha Mehmeti.
“BQK ka treguar përkushtim të vazhdueshëm për reduktimin e parasë së gatshme, në mënyrë që të jetë sa ma i lehtë avansimi elektronik për bankat. Në sistemin bankar në Kosovë janë aktive 2 milionë llogari bankare, 500 bankomate. Krahasuar me vitin paraprak është shënuar rritje në transaksione me kartela, por ende është i ultë përdorimi i transaksioneve elektronike. Të gjithë ne duhet të ndërmarrim iniciativa dhe veprime për të rritur transakasionet pa para të gatshme”, tha Mehmeti.
Agim Kukaj, drejtor i Departamentit të Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), prezantoi planin e kësaj ministrie, i cili do të ndihmonte në përpjekjet e sektorit financiar për të kaluar nga keshi në pagesa elektronike duke mundësuar qytetarëve në të gjithë territorin e Kosovës qasje më të lehtë në internet.
Ai tha se ky projekt do të bëhet i mundur përmes financimit nga Banka Botërore.
“Së bashku me Bankën Botërore jemi duke diskutuar në lidhje me një projekt ku mbështetja financiare do të vijë nga Banka Botërore. Ky projekt do të bëhet për të mundësuar internet shtetëror për t’iu mundësuar qytetarëve nga të gjitha viset qasje më të lehtë në të. Është shumë e rëndësishme për sistemin bankar mbulueshmëria në internet, duke marrë parasysh prezencën e bankave”, tha Kukaj.
“Sa i përket ‘nënshkrimit elektronik’, vitin e ardhshëm MZhE-ja do të fillojë hartimin e një ligji ku pjesë e hartimit të tij do të jetë edhe Banka Qendrore, Shoqata e Bankave të Kosovës në mënyrë që ta bëjmë më lehtë të implemtentueshëm një gjë të tillë, për shkak se edhe në disa vende të BE-së ka qenë problem përdorimi i kësaj, për shkak të riskut që mund të vijë nga kjo”.
Në emër të kryeministrit foli këshilltari i tij, Erolld Belegu, i cili tha se Qeveria është e gatshme të ofrojë infrastrukturë ligjore nëse sistemi bankar në vend propozon reforma të cilat do të ishin në të mirë të të gjithëve.
“Nuk ka dilemë që nëse keshi do të zëvendësohej me kartela e zgjidh problemin për një kohë të gjatë, për shkak se siguria e mjeteve do të jetë më e madhe. Qeveria është e gatshme të ju dalë përkrahë, nëse ju si Shoqatë e Bankave propozoni ndonjë reformë që është në të mirë të gjithëve. Kosova e ka një traditë të keqe të të kaluarës me banka, edhe pse sistemi bankar i Kosovës është mjaft stabil dhe mendoj se duhet të punohet që ti kthehet besimi i qytetarëve te bankat”, u shpreh Belegu.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se prezenca më e vogël e keshit në treg, krahas rritjes së sigurisë, ndikon edhe në luftimin e ekonomisë joformale në vend.
“Sa më pak të ketë prezencë të keshit në treg, aq më pak prezencë të ekonomisë joformale në Kosovë. Prezenca e keshit në Kosovë është diçka që lidhet me kulturën dhe ligjin, janë çështje të ndërlidhura me njëra tjetrën”, tha ai.
“Vendi ka pasur përparim të dukshëm në reduktimin e keshit përmes legjislacionit të ATK-së, duke i obliguar bizneset që pagesat në mbi 500 euro të bëhen përmes bankës. Ka përpjekje që të ulet pragu nga 500 në një vlerë më të vogël dhe ne synojmë që të ulim në 100 euro transakasionet përmes bankës, duke mundësuar një siguri më të madhe tek ata që shlyejnë obligimet”, tha Imeri.