Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe e Prodhuese të Materialeve Ndërtimore të Kosovës kundërshton ashpër rregulloret e Kuvendit Komunal Prishtinës mbi taksat Administrative për dhënien e lejes së ndërtimit si dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës.
Kjo Shoqatë thekson se të gjitha këto dispozita para së të aprovohen së pari kanë shkelur procedurat mbi dëgjimin publik që në radhë të parë “ne si Shoqata e Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe e Prodhuese të Materialeve Ndërtimore të Kosovës jemi anashkaluar, ndërsa deputetëve të Kuvendit Komunal u janë servuar dispozitat që janë në kundërshtim me ligjin”.
“Llogaritja e tarifave sipas nenit 5 dhe 7 e cila bëhet me vendim të veçantë të lëshuar nga Drejtoria përkatëse komunale gjoja mbi marrëveshjen e nenit 11, e cila nuk ka përcaktuar asnjë detal për implementim e kësaj marrëveshje”, thuhet në reagimin e kësaj Shoqate, raporton Ekonomia Online.
“Pagesën e taksës administrative sipas nenit 5 e kundërshtojmë në tërësi sepse kjo taksë është në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe e dëmshme për ndërtuesit dhe për vet Kuvendin Komunal të Prishtinës”, theksohet më tej në reagim.
Në anën tjetër taksat e densitetit janë taksa që janë të llogaritura në kundërshtim me ligjin më të cilin taksativisht thuhet se për hapësirat e përbashkëta si dhe lokalet, bodrumet në këto taksa nuk llogaritën.
“Po ashtu Shoqata është e indinjuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës që nuk e zbaton Ligjin dhe urdhrat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, duke ditur që ankesat e shumë ndërtuesve që janë parashtruar në shkallën e dytë të gjykatave kanë fituar rastin, mirëpo nuk kanë gjetur mirëkuptim në Komunën e Prishtinës për implementim e tyre, dhe e cila gjë është shkelje e rënd e ligjit”, thuhet në reagim.