Në ditën ndërkombëtare të personave me autizëm, Shoqata për Autizëm në Prishtinë ka organizuar aktivitete të ndryshme, duke filluar nga marshi në sheshet e Prishtinës, për të vazhduar me koncertin e përgatitur për nder të kësaj dite.
Nora Sherifi, kordinatore e Qendrës së Autizmit, në një prononcim për Ekonomia Online tha se sot për nder të ditës ndërkombëtare të autizmit po mbahen aktivitete të ndryshme.
“Sot është dita ndërkombëtare e autizmit, si çdo vit tjetër edhe sot kemi dalë dhe po marshojmë nga sheshi “Zahir Pajaziti” e deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Qendra jonë numëron 40 fëmijë me autizëm, ndërkaq, përveç marshit ne kemi organizuar edhe një koncert për nder të kësaj dite”, tha ajo.
Arif Daka, anëtar i bordit të Shoqatës së Autizmit, tha se aktivitetet të cilat janë mbajtur sot kanë për qëllim sensibilizimin e opinionit me personat me autizëm.
“Të gjitha aktivitetet të cilat janë mbajtur sot duke nisur nga marshi nëpër sheshet e Prishtinës e deri te koncerti kanë për qëllim sensibilizimin e shoqërisë me personat me autizëm. Kemi përkrahje nga organizata të ndryshme mirëpo barra më e madhe bie mbi prindërit”, tha ai për EO.
Drejtori i shoqatës së autizmit, Cen Krasniqi tha se si shoqatë munden të krenohen për kushtet që kanë tani.
“Me shoqatën ‘Save the Children’ kemi organizuar aktivitete të ndryshme. Kemi sensibilizim të shoqërisë mirëpo barra më e madhe bie mbi prindërit. Shpresojmë që sa më shpejt të ndërtohet edhe qendra e planifikuar nga komuna e Prishtinës dhe qeveria turke për fëmijët me sindromën Down dhe fëmijët me autizëm. Ajo nuk do të jetë e mjaftueshme mirëpo është një nismë e mirë”, tha ai.
Ekonomia Online ka ndjekur edhe koncertin e organizuar nga kjo qendër për nder të ditës ndërkombëtare të personave me autizëm.