Rasim Alija, nga organizata “Demokracia për Zhvillim” (D4D), për “Zërin” ka thënë që ky pasivitet në Kuvendin e Kosovës është duke i sjellë pasoja të mëdha vendit, shkruan Gazeta “Zëri”.
“Kjo gjendje vazhdon ta dëmtojë në masë të madhe procedimin e ligjeve dhe përmbushjen e obligimeve për ndryshimet e legjislacionit/reformave të parapara. Projektet dhe ligjet vazhdojnë të barten nga viti në vit, duke mos i funksionalizuar dhe duke mbajtur peng reforma të rëndësishme, siç janë reforma zgjedhore, Ligji i Punës, reforma e administratës publike e një mori reformash të tjera”, ka thënë ai.
Sipas tij, është nevojë urgjente një rregullore e re në Kuvendin e Kosovës, si dhe përpos kësaj edhe partitë duhet që në listat zgjedhore të vendosin persona që do t’i qëndrojnë besnik punës së tyre.
“Kuvendit i duhet sa më parë rregullorja e re e punës, e cila parasheh masa në rastet kur kemi gjendje të tillë të një pasiviteti të deputetëve. Subjektet politike do të duhej t’u kushtonin shumë rëndësi listave zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme, duke përcaktuar kritere të qarta. Ndërsa qytetarët do të duhej që të mendoheshin dy herë për përzgjedhjen e deputetëve të tyre kurdo që do të mbaheshin zgjedhjet”, ka thënë Alija.