Bursa e BE-së për studim të nivelit MASTER në universitetet Evropian, apo më e njohur si Skema e Profesionistëve të Rinj (YoungCellScheme – YCS) është ndër projekte më të suksesshme të BE-së në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.
Deri më sot, 364 të rinjtë kanë pasur mundësi të studiojnë jashtë vendit dhe të kthehen dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një Kosove më të mirë. Sot bursistët e kësaj skeme mund të gjenden në mesin e shërbimit civil dhe diplomatik, akademi, shoqëri civile, biznese, media dhe parti politike. Secili nga ta ofron kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e të ardhmes së Kosovës.
Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale.
“Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake”, thuhet në komuniatën e dërguar për medie nga Shoqëria Civile.
Këto veprime të Ministres në dorëheqje Hoxha janë të kundërligjshme dhe përbejnë shkelje flagrante të marrëveshjeve ndërkombëtare, respektivisht Marrëveshjes Financiare për Ratifikimin e IPA-së 2016.
Vendimet e kundërligjshme të Ministres në dorëheqje Hoxha rrezikojnë anulimin e bursave të parapara për vitet në vijim që do financojnë shkollimin jashtë vendit të qindra të rinjve Kosovar.
Po ashtu, dënojmë marrjen e masave të kundërligjshme dhe kërcënimet ndaj shërbimit civil të MIE-së.
Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile –mbështesim fuqimisht kërkesat e shërbimit civil të MIE-së dhe kërkojmë nga Ministrja në dorëheqje znj. Dhurata Hoxha anulimin e menjëhershëm të konkurseve publike në MIE, punësimin e bursistëve nga bursa YCS, si dhe anulimin e menjëhershëm të çfarëdo mase të kundërligjshme ndaj shërbimit civil të MIE-së.
Në mungesë të veprimit nga ana e Ministres në dorëheqje, znj. Dhurata Hoxha, ftojmë ish-Kryeministrin, z. Ramush Haradinaj të ndërhy në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Evropian.
Reagimi është mbështetur nga:
Demokraci për Zhvillim – D4D
Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS
Iniciativa për Progres – INPO
Instituti Columbus
Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD
Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane – EPIK
Instituti i Prishtinës për Studime Politike – PIPS
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu!