Kolegji Heimerer në bashkëpunim me organizatën Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) kanë organizuar për herë të parë shkollën pranverore për zhvillim të qëndrueshëm njerëzor, e cila këtë vit për temë ka “Migrimin dhe Shëndetin Publik”.
Në këtë shkollë ku ligjëratat do të mbahen nga sot (22 maj) e deri më 2 qershor, ku do të marrin pjesë 30 studentë nga universitete të ndryshme të vendit, derisa ligjëruesit do të jenë vendorë dhe ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.
Petrit Beqiri drejtor i Kolegjit Heimerer tha se procesin e migrimit e mendon si ecje mes dy botërash dhe një ecje e tillë mund të rezultojë me një burgosje, por në anën tjetër edhe si liri.
“Shoqërinë kosovare mund ta quajmë shoqëri tipike që është e ndikuar në procesin e migrimit. Në bazë të raportit të UNDP-së rreth 700 mijë qytetarë kanë migruar nga vendi, e dyta e mendoj që tema është e qëlluar dhe me rëndësi, sepse është temë globale”, ka thënë ai.
Frank Hantke nga zyra e FES-it në Prishtinë tha se migrimi ka anët pozitive dhe negative.
“Nëse dikush dëshiron me u largu prej problemeve nuk është arsye migrimi, por duhet të qëndrojnë në vend dhe me zhvillu vendin”, tha ai.
Hantke tha se demokracia është koncept i mirë, por nuk është ashtu siç shkruhen gjërat në letër.
Sipas tij, demokracia nuk është aktivitet kreativ, por është punë e vështirë që nuk përfundon kurrë.
“Demokracia ka nevojë të madhe për qytetarët, jo vetëm që të përfitojnë nga kjo, por të japin edhe kontributin e tyre dhe si rrjedhojë të shndërrohen në faktor aktiv në politikbërje dhe jo vetëm t’i marrin shtetit, por edhe t’i japin”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu, dha arsyet se pse Gjermania përkrahë studentët dhe emigrantët pasi që gjermanët i duan njerëzit kureshtar ndaj dijës dhe gjithashtu duan ti ndihmojnë personave që si shkak të migrimit kanë presionin apo mungesën e hapësirave në vendin tyre.
Ardita Tahirukaj nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) tregoi për situatën e emigrantëve ndërkombëtarë në regjionin evropian dhe theksoi se fluksi i emigrantëve nuk është krizë e izoluar por një realitet që do të ballafaqohet Evropa edhe për një kohë.
Tahirukaj gjithashtu theksoi se OBSH merret me trajnimin e shërbyesve shëndetësorë, promovimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë në mes shteteve, çështjet shëndetësore që lidhen ne lëvizjen e njerëzve dhe avancimin e institucioneve shëndetësore.