Dragan Shormaz, ish-deputet në Kuvendin e Serbisë dhe kryetar i Këshillit Euroatlantik të Serbisë, në një intervistë ekskluzive për mediat rajonale, ka folur për nevojën që Serbia dhe rajoni të afrohen me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, duke kritikuar qasjen proruse të qeverisë aktuale të Aleksandar Vuçiqit. Ai paralajmëron se politika e neutralitetit ushtarak është një iluzion që po i kushton shtrenjtë Serbisë dhe të gjithë rajonit dhe se ekziston mundësia reale që Kosova të anëtarësohet në NATO përpara Serbisë.
“Që nga viti 2017, kur Vuçiq u bë president, bashkëpunimi me NATO-n ka rënë ndjeshëm. Qeveria aktuale po e largon jo vetëm Serbinë, por edhe Bosnjën dhe Malin e Zi nga NATO dhe BE,” deklaroi Shormaz.
Sipas tij, Serbia nuk mund të jetë serioze në diskutimet për stabilitetin rajonal nëse mban pozicionin e neutralitetit ushtarak, ndërkohë që është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s.
“Serbia mund të ruajë neutralitetin vetëm përmes forcës, por një pozicion i tillë është i kushtueshëm dhe joefikas,” u shpreh ai, duke shtuar se ushtria serbe po mbetet mbrapa në aspektin teknologjik dhe profesional krahasuar me fqinjët që janë pjesë e NATO-s.
Shormaz thekson se si anëtare e NATO-s, Serbia do të mund të fokusohej në forca të specializuara, si njësitë e këmbësorisë apo flotila lumore në lumin Danub – një qasje që do të ishte, sipas tij, strategjikisht dhe financiarisht shumë më efektive.
Ai përmend edhe marrëveshjen për blerjen e avionëve “Rafale”, duke e konsideruar më të pafavorshme se ajo kroate, vetëm sepse “Kroacia është anëtare e NATO-s, ndërsa Serbia jo”.
“Serbia do të marrë vetëm versionin bazë të avionëve, pa pajisjet e sofistikuara dhe armatimin që përputhet me standardet e NATO-s,” theksoi ai.
Duke analizuar marrëdhëniet mes Beogradit dhe Moskës, Shormaz është i qartë:
“Moska krijon narrativën e një NATO-je agresive – kjo është mashtrim. Askush nuk është detyruar të anëtarësohet në NATO. Vendet si Polonia, Rumania, Suedia apo Finlanda e kanë bërë këtë me vullnetin e tyre,” deklaroi ai.
“Me afrimin e Vuçiqit me Moskën, ajo që dikur ishte vetëm një gjuhë diplomatike, tani është shndërruar në retorikë të hapur dhe të ashpër – si ndaj tij, ashtu edhe ndaj vetë Serbisë.”
Ai kritikon edhe opozitën serbe për mungesën e qëndrimit ndaj agresionit rus në Ukrainë:
“Asnjëherë nuk e kritikojnë sulmin rus, nuk kërkojnë sanksione ndaj Moskës. Edhe ata ndjekin të njëjtën mendësi si Vuçiqi.”
Kur pyetet nëse NATO ka ndryshuar që nga themelimi i saj më 1949, Shormaz thotë se vlerat thelbësore kanë mbetur të njëjta:
“NATO është garancia për paqe. Prandaj kemi nevojë për të në Ballkanin Perëndimor,” thekson ai.
Ai e përmbyll intervistën duke theksuar se bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në strukturat euroatlantike janë rruga e vetme drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të zhvilluar për të gjitha vendet e rajonit – përfshirë edhe Serbinë.