“Youth For Kosovo” është një projekt i përbashkët i UNDP-UNV, UNICEF dhe UN Women, që ka për qëllim të angazhojë të rinjtë që të punojnë së bashku dhe të bëhen ndryshues në komunitetet e tyre.
Në kuadër të këtij projekti është organizuar gara Youth For Kosovo Changemakers nga data 20 Janar deri më 7 Shkurt 2020, përmes së cilës janë ftuar të rinjtë anembanë Kosovës të ndajnë storiet e kontribuimit të tyre për të mirën e komunitetit.
Dje, “Youth For Kosovo” ka publikuar gjashtë emrat e fituesve të garës, tri prej të cilëve ishin në kategorinë e videos dhe tri në atë të fotografisë.
Në mesin e garuesve përmes videos, vendin e parë e fitoi Fiona Meqa (499 pëlqime), vendin e dytë e fitoi Rudina Zeqiri (381 pëlqime) dhe vendin e tretë e fitoi Alma Topalli (193 pëlqime). Këto vajza kanë treguar për angazhimet e tyre për njohjen e trashëgimisë kulturore, përmirësimin e ambienteve shkollore për të rinjtë në Fushë Kosovë, si dhe për aktivitetet me fëmijë në repartin pediatrik në SHSKUK.
Përpos kësaj, fituesit e garës Youth For Kosovo Changemakers në kategorinë e fotografisë, kanë treguar në mënyrë kreative kontributin e tyre për ngritjen e vetëdijes ndaj kujdesit mjedisor në hapësirat e përbashkëta, si dhe për integrimin e artit si metodë e përmirësimit të hapësirave spitalore për fëmijë. Vendin e parë e fitoi Ledi Gjini (332 pëlqime), vendin e dytë e fitoi Ermona Leskovci (181 pëlqime) dhe vendin e tretë e fitoi Marija Tomasevic (69 pëlqime).
Kjo ka qenë një fushatë interesante që u ka mundësuar të rinjve të dëshmojnë angazhimin e tyre karshi bashkëmoshatarëve në lagje, në qytet, pjesë urbane apo rurale, e që ndikon në përmirësimin e të ardhmes së tyre.
Në këtë mënyrë, mund të identifikohen liderët e tashëm dhe të ardhshëm të cilët kanë potencial ta përforcojnë sinergjinë rinore, si dhe ta rrisin besimin e rinisë në institucionet publike.