Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndanë sot Çmimet e Gazetarisë për Varfëri 2017. Ngjarja shënon Ditën ndërkombëtare për zhdukjen e varfërisë dhe ka për qëllim promovimin e rritjes së debatit rreth çështjeve dhe shkaqeve të varfërisë në Kosovë.
Juria e përbërë nga Lundrim Aliu nga Banka Botërore, Arta Berisha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Arben Hajredinaj nga OSBE, Gjorgje Jevtiq nga Asociacioni i Gazetarëve Serb në Kosovë dhe Violeta Hyseni-Kelmendi, eksperte e pavarur- kanë përzgjedhur gjashtë fitues në gjashtë kategori.
Gazetarët fitues janë shpallur sonte, gjatë ceremonisë në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, gazetarë, donatorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Valdete Osmani fitoi çmimin në kategorinë Video tregimi i shkurtër më i mirë, me tregimin në lajme “Të jetosh një jetë të vështirë”, e transmetuar nga RTK.
Anđelka Çup fitoi çmimin në kategorinë TV dokumentari më i mirë me reportazhin “Të jetosh si minoritet”, të transmetuar nga RTV.
Majlinda Doda fitoi çmimin në kategorinë Audio tregimi më i mirë me radio reportazhin “Si i përmbush Kosova Sfidat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, të transmetuar nga Radio Kosova.
Serbeze Haxhiaj fitoi çmimin për Tregimin e shkruar më të mirë me artikullin “Agonia e Pafund e Grave të Dhunuara në Luftën e Kosovës”, të publikuar nga Kallxo.com dhe BIRN.
Driton Paçarada fitoi në kategorinë Fotografia më e mirë.
Në vazhdim, çmimin e veçantë për amator, me qëllim të mbështetjes së gazetarisë qytetare, e fitoi Qëndresa Uka, me artikullin “Burgu ku të drejtat e të miturve janë të shkelura”, të publikuar nga www.ponder-ks.org
Programi gjithashtu u shqua me fjalimin frymëzues dhe një instalim nga artistja e njohur Alketa Xhafa Mripa e cila fluturoi nga Mbretëria e Bashkuar për këtë eveniment. Paraprakisht, Znj, Xhafa Mripa ka qenë kreatorja kryesore e instalacionit “Mendoj për ty” të mbështetur nga UNWOMEN në Kosovë.