Shpallet i pafajshëm, kërkon më shumë se 900 mijë euro kompensim

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 10:47 | Nga

I shpallur i pafajshëm me vendim të plotfuqishëm, Bidajet Sylejmani nga Brodi i Shtërpcës po kërkon 930 mijë euro kompensim për dëmin që pretendon se iu shkaktua nga akuzat ndaj tij.

Sylejmani akuzohej nga Prokuroria për veprën penale të trafikimit me njerëz.

Sipas aktakuzës, Bidajet Sylejmani nga viti 2008 deri më 2012 kishte strehuar dhe shfrytëzuar dy të dëmtuara nga Shqipëria.

Sylejmani ishte dënuar më 2012, ndërsa pas ankesës rasti ishte kthyer në rigjykim dhe Gjykata në Ferizaj e shpalli të pafajshëm më 2016.

Këtë vendim një vit më vonë e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

Në një intervistë për kallxo.com, Bidajet Sylejmani thotë se i tërë rasti i tij u inskenua nga një grup njerëzish, në mesin e të cilëve kishte edhe policë.

“Ata kanë kërkuar para kinse po donë të më lirojnë mua nga burgu, kinse po dojnë të ma rikthejnë rastin në rigjykim. Tërë kohën janë biseduar këto gjëra… Krejt këto kanë qenë inskenime të Policisë dhe këto janë bërë kinse unë kam pasë para, gjë që nuk është e vërtetë dhe krejt këto janë bërë për para”, tha Sylejmani.

Tani i shpallur i pafajshëm me vendim të formës së prerë Sylejmani tregon se sa para i kërkoheshin.

“Në rastin e parë m’i kanë kërku 25 mijë e që i kanë marrë ato para dhe e kanë pranuar fajësinë shumica prej tyre dhe për së dyti me kthyer rastin në rigjykim m’i kanë kërkuar 40 mijë por asnjëherë nuk i kam dhënë paratë dhe ata kanë përfunduar në duar të Policisë”, tha Sylejmani.

Pasi që siguroi pafajësinë, Sylejmani thotë se do të kërkojë kompensim për dëmin që i është shkaktuar.

“Unë i kam dorëzuar dokumentet në EULEX dhe kam kërku diku rreth 930 -940 mijë euro në EULEX, por ata e kanë qitë në çështje civile”, tha Sylejmani.

Në rastin ku Bidajet Sylejmani është palë e dëmtuar, një trup gjykues i EULEX-it ka gjetur fajtor dhe dënuar në shkallë të parë ish-togerin e Policisë së Kosovës në Ferizaj Menderes Sinani me 7 vjet burg.

KALLXO.com lidhur me këtë rast ka provuar të kontaktojë me avokatin që ka mbrojtur Sinanin, Aziz Rexha, por nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme