Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka pasur një përplasje verbale me asamblistin e Vetëvendosje (VV) Egzon Azemi rreth Ndërmarrjes Publike Banesor (NPB), në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal.
Ahmeti ka thënë se anëtarë të VV-së po flenë afër NPB-së sepse po frikësohen se dikush po ua merr atë. Ai ka pyetur asamblistët e VV-së se prej kujt po e mbrojnë, raporton Ekonomia Online.
“Ju VV-ja po tuteni që dikush po vjen po e merr dikush ndërmarrjen publike banesore, jeni tu flejt atje, prej kujt po e mbroni”.
Azemi i përgjigjur Ahmetit duke i thënë se po gënjen publikisht. Ai tha se i ka dërguar e-maila për të diskutuar rreth NPB-së. Azemi ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet e Ahmetit se Xhelal Sveçla e Liburn Aliu flenë në NPB.
“Po me vjen turp qysh po keni guxim me gënjye publikisht. Të kam dërguar e-maila për me diskutuar rreth NPB-së. Mundem edhe me i publiku ato e-maila, jo filma. Po thua herë Xhelal Sveçla e herë Liburn Aliu po flenë në NPB, atje ka kamera dhe hajde po i shohim kamerat”.
Kryetari Ahmeti ka thënë se nuk bëhet fjalë për bojkot të Kuvendit. Sipas tij, Egzon Azemi asnjëherë nuk i ka shkuar në zyre për t’i kërkuar diçka.Më pas Ahmeti i tha Azemit “mshele gojën edhe rri”, raporton EO.
“Nuk e di për çfarë bojkotimi po flet, s’ke ardhur asnjëherë në zyre. Po i shoh vetëm statuset e tu në Facebook”.
“S’kemi caktuar kryeshef me mandat 4 vjeçar. Lej ato pallavrat anëtar e çanëtar i PSD-së. Mshele gojën edhe rri. Hajde edhe t’i Erman Rrahmani dhe Egzon Azemi”.
Fillimisht Azemi ka falënderuar Ahmetin që siç tha për ndërprerjen e bojkotit të Kuvendit Komunal.
“E falënderoj kryetarin që e paska. Ndërprerë bojkotin afat gjatë që ia ka bërë Kuvendit. Komisioni për pronat s’ka mundur të formojë sepse grupi juaj e ka lëshuar seancën dhe s’ka pas kuorum, pra ju e keni ndaluar. Sot mund ta formojmë këtë komision”.
Asamblisti tjetër i VV-së, Eman Rrahmani, ka kërkuar që në mbledhje të diskutojnë për mosfunksionimin e Kuvendit dhe, siç tha, shkatërrimin e ndërmarrjeve publike.
“Sa i përket propozimit për caktimin e rregullores së orarit të punës, e përkrahi Samiun, por kishim dashur që të shtojmë disa pika. Pika e parë që me shtuar në seancë është mosfunksionimi i Kuvendit, një tentim i bllokimit të kryetarit”.
“Pikë tjetër që e kisha shti është tentim shkatërrimi i ndërmarrjeve publike. Pikë tjetër është se çka po ndodh me mosrealizimin e planit të buxhetit. Problemi është te funksionimi normal i Kuvendit. Kisha propozuar që të jetë pikë”.
Këto përplasje mes asamblistëve u bënë në pjesën e propozimeve për rendin e ditës dhe kjo, sipas asamblistit të PDK-së, Blerand Stavileci, këto akuza e kundër-akuza janë të pakuptimta.
Ai ka kërkuar që të pajtohen për pikat përmbajtjesore të rendit të ditës, cilat duhet të hiqen nga rendi i ditës e cilat duhet të miratohen.
“Sot këta po e akuzojnë njëri-tjetrin për filma. Nëse këto hesape nuk i kanë sqaruar, le t’i sqarojnë jashtë këtij kuvendi. I kemi dy mbledhje, nëse heqim edhe dy pikat që po ka pajtueshmëri për pikat 2 dhe 5 po na mbesin 13 pika”.
“Këto që po i dëgjojmë është fotografi falso e dy subjekteve politike që e kemi treguar. Të merremi vesh me pikat përmbajtjesore. Çka na intereson neve kush kujt çka i ka thënë, na duhet me humb kohë e të mos i miratojmë pikat përmbajtjesore”.