Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka folur pas sulmit me ngjyrë dhe shtalb në drejtim të objektit të Komunës që ai udhëheq.
Ahmeti ka mohuar se ky sulm mund të jetë bërë nga dikush i LDK’së, apo ndonjë partie tjetër opozitare në komunë. Ai ka treguar se ky sulm është bërë nga një person për të cilin thotë se pothuajse çdo gjashtë muaj bënë diçka të ngjashme.
“Është një person i cili çdo gjashtë muaj gjuan me diçka në drejtim të objektit të Komunës”, citohet të ketë thënë Ahmeti për portalin ‘Indeksonline’.
I pari i Prishtinës ka treguar se personi në fjalë ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës i cili kishte braktisur punën për të kërkuar azil në Evropë, por që më pas është kthyer mbrapa.
“Ai tani kërkon strehim dhe pagesë nga Komuna e Prishtinës ndërsa ne e kemi drejtuar për në ministri por që prapë vije tek ne”, ka sqaruar tutje rastin kryetari Shpend Ahmeti.
Të njëjtin version për incidentin e sotëm e ka dhënë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi.
“Objekti i Komunës është gjuajtur me ngjyrë nga një fatkeq, ish-polic, i cili ka kërkuar fatin bashkë me familje në mërgim, por është depërtuar në Kosovë. Tash i shkreti nuk ka strehim dhe nuk ka punë, por protestën e bën në adresë të gabuar. Komuna e ka dëgjuar hallin e tij, por e ka të pamundur t’i ndihmojë” ka shkruar Vraniqi në Facebook.