Shpend Ahmeti thotë se niveli lokal po diskriminohet sa i përket pagave

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 11:14 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Administratës Publike (MAP) ka mbajtur debat publik konsultativ për Pakon e ligjeve të reformës së administratës publike: Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publikë dhe Projektligjin për Pagat.

Ministri Mahir Yagcilar, tha se këto projektligje janë shtylla të reformimit të administratës me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, raporton Ekonomia Online.

“Jemi në fazën finale, për këtë pjesë të debateve publike do të jetë i fundit sa i përket komunave. Këto projektligje janë shtylla të reformimit të administratës me qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve. Janë tri ligje që rregullojnë shumë segmente të rëndësishme të shtetit”.

Sipas ministrit Yagcilar, Projektligji për zyrtarët publik përfshin personat që krijojnë kontratë pune me shtetin, si në arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera. Yagcilar bëri të ditur se për herë të parë rregullohet marrëdhënia e punës bazuar në parime.

Ai e vlerësoi si shumë të rëndësishëm edhe Projektligjin për Pagat, pasi sipas tij, deri më tani nuk ka ekzistuar një ligj i unifikuar.

“Projektligji për pagat prek funksionarët publik, shërbyesit civilë, zyrtarët publik. Deri tash s’ka ekzistuar një ligj i unifikuar. Nuk ka ekzistuar ligji bazik që ka rregulluar këto çështje. Sa i përket nivelit komunal është çështje e rëndësishme, është nivelizim i nivelit qendror dhe lokal. Anëtarët komunal janë në listën e pagave që është një lehtësim. Qëllimi kryesor është që të ofrohen shërbime më të mira ndaj qytetarëve me cilësi më të lartë, duke krijuar edhe kushte më të mira për punë”.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se duhet të eliminohet praktika që nëse nuk je pjesë e ndonjë subjekti politik nuk mund të punësohesh.

“Ideja e centralizimit te rekrutimit po besoj që nuk do t’i kap komunat. Frika është që ndikimi politik, nuk ka praktikë të mirë të rekrutimit të zyrtarëve. Nuk mundësh mu punësuar nëse s’je anëtar i një subjekti politik”.

“Do të ishte mirë që kjo të shpjegohet me kohë nëse po e ndjekim sistemin anglez ku krijohet një bazë profesionale dhe do të ishte mirë që kjo të bëhej dhe me njerëz jashtë institucioneve. Nëse diskutohet mirë, të sigurohemi se rekrutimi të jetë profesional”.

Ahmeti tha se është kundër reformës kur kemi Ligjin për ngrijen e pagave dhe njëkohësit edhe Ligj për nivelizimin e tyre.

“Te Projektligjin për Pagat, po kemi ligj për rritjen e pagave dhe në anën ligj për nivelizimin e pagave, kjo nuk i bën nderë reformës. Është diskriminim i nivelit lokal sa i përket pagave”.

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, tha se për kryeqytetin është shumë i rëndësishëm Projektligji për Pagat, i cili sipas tij do t’i barazojë zyrtarët komunal në nivelin e pagës.

“Për komunën e Prishtinës po e presim Projektligji për pagat ku shpresojmë që do t’i barazojë punëtorët në nivel komunal. Shpresoj që do të kemi diskutim frytdhënës sot”.

Naser Shamolli, drejtor i Departamentit Ligjor në MAP, gjatë prezantimit të këtyre tri projektligjeve tha se me Projektligjin për Administratën Shtetërore do të bëhet rishikimi i Agjencive të Pavarura, pasi sipas tij, është problematike numri i madh i tyre.

Sipas tij, me Projektligjin e ri Kuvendi mund të themelojë agjenci vetëm me funksion mbikëqyrës, jo edhe ekzekutiv siç është aktualisht.

“Shumë agjenci të pavarura janë themeluar në kuvend, 34 sosh. Problem është numri i madh i tyre. Shumica e tyre kanë mandat ekzekutiv. Për to vendosen rregulla. Do te jenë disa kritere bazë për themelim të tyre. Kuvendi mund të themelojë agjenci të pavarura vetëm me funksion mbikëqyrës. Ligji ka paraparë rregulla edhe për hyrjen në fuqi por edhe menaxhimin e agjencive”.

Sipas Shamollit, Projektligji për Pagat ka për qëllim krijimin e një sistemi homogjen për pagat.

“Projektligji për pagat, qëllimi kryesor ka qenë të krijohet sistem homogjen për pagat. Risia kryesore është se  kompetencën e ngrit në nivel Kuvendi”.

Projektligji për Administratën Shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi, raporton EO.

Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e tyre.

Ndërsa Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri.

Kurse Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik.

Të ngjashme