Shpend Ahmeti do të udhëheq të dorëhequrit nga Vetëvendosje, të cilët sot formuan partinë e re.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialdemokrate zgjodhi me shumicë votash kryetar Shpend Ahmetin; nënkryetar do të jetë Visar Ymeri dhe sekretare e Përgjithshme, Aida Dërguti.
Në këtë mbledhje u zgjodh edhe Këshilli Drejtues i partisë si dhe morëm vendim që PSD të tërhiqet nga koalicioni i lidhur me PAN para zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Në videon e siguruar nga Ekonomia Online, shihet teksa Partia Socialdemokrate (PSD) zgjedh kryetarin e ri, ku të pranishmit duartrokasin e urojnë atë.
Dardan Sejdiu, i cili ka udhëhequr punimet e Kuvendit, ka konstatuar se për Ahmetin kanë votuar të gjithë delegatët prezent. Ai i ka uruar Ahmetin marrjen e detyrës së re, raporton EO.
“Shpend të prift e mbara, na prift e mbara!”
Ky aktivitet është mbajtur pa praninë e medieve në një nga hotelet e kryeqytetit.
Por në orën 17 kjo parti mban Konventën Solemne, ku delegatëve dhe mysafirëve do t’iu drejtohet kryetari i zgjedhur. Kjo pjesë do të jetë e hapur edhe për medie.
Grupi i Deputetëve të Pavarur dhe zyrtarë tjerë të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje i janë bashkuar Partisë Socialdemokrate ditë më parë.
Përçarja e Lëvizjes Vetëvendosje nisi pas publikim te mesazheve të grupit parlamentar të kësaj partie ku Aida Dërguti e kishte ofenduar Albin Kurtin, dhe menjëherë pas publikimit të këtyre mesazheve ajo dha dorëheqje.
Në grupin e të dorëhequrve pos Dërguti, janë edhe: Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Driton Qaushi, Dardan Sejdhiu, Shqipe Pantina, Qëndron Kastrati, Faton Topalli dhe shume aktivistë tjerë.