Një sasi e vogël eksplozive është vendosur pranë një banese në Vlorë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. Policia thotë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:25 minuta të mëngjesit të sotëm në banesën e shtetasit Robert Myrtaj, 57 vjeç, banues në Vlorë.
Më datë 02.07.2017, rreth orës 03:25, në banesën e shtetasit R.M., 57 vjeç, banues në Vlorë, persona të paidentifikuar ende, i kanë vendosur lëndë eksplozive (plasëse) kësaj banese.
“Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Lirimi” pranë rrugës “Demokracia”, ku dyshohet se pranë derës së kësaj banese (kati II) është vendosur një sasi e vogël lëndë shpërthyese. Si pasojë e shpërthimit, kemi vetëm dëmtime të pjesshme të derës së banesës. Në momentin e ndodhjes së ngjarjes, nuk ka patur njeri në banesë”, sqaron policia.
Policia lokale bën me dije se në drejtim të këtij objekti banesë e kthyer në lokal është vendosur eksploziv edhe disa ditë më parë, me dëme të vogla materiale.
Policia vijon veprimet hetimore në lidhje me zbardhjen e ngjarjes si dhe për identifikimin e autorëve të ngjarjes dhe kapjen e tyre.
Shpërthimi i mëparshëm ndodhi më 9 qershor ku në lokalin ngjitur me banesën ishte vendosur një sasi dinamiti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Ende nuk dihen arsyet e vendosjes së eksplozivit ndaj banesës së 57 vjeçarit Robert Myrtaj, shkruan Ora.