Një mjet shpërthyes është hedhur mbi shtëpinë e shefit të njësisë operative të trafikut të Policisë së Kosovës, Bane Jakovleviq, por nuk ka pasur pasoja në njerëz, kanë bërë të ditur zyrtarë të policisë së Kosovës.
Në shtëpi, në momentin e shpërthimit, ndodheshin prindërit e Jakovleviqit.
Shpërthimi ka ndodhur në orët e vona të së enjtes në Rudarin e Madh të komunës së Zveçanit, por përvec dëmeve materiale askush nuk është lënduar, tha për Radion Evropa e Lirë shefi i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Zhelko Bojiq.
Një njësit hetues ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pritet edhe ekipi specializues të vërtetojë llojin e mjetit shpërthyes.
Një javë më parë është djegur një lokal, në pronësi të familjes Jakovleviq, që ndodhet në qendër të Mitrovicës së veriut.
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, Jakovleviq nuk është në mesin e zyrtarëve të shkarkuar të policisë dhe as i emëruar së voni, veprim që ka nxitur protesta në veri në fillim të javës.