Pothuajse gjatë gjithë vitit e gjejmë në punishten e tij duke u kujdesur për bletët me të cilat e siguron mbijetesën e familjes, mirëpo bletaria nuk është pasioni i vetëm i Sefedin Thaçit nga fshati Krevenik i Hanit të Elezit.
Gjatë periudhës kohore të dimrit ai merret edhe me shpikje – një hobi të veçantë ku shënon rezultate po ashtu të veçanta, pasi që idetë e tij të bëhen realitet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me 673 euro, duke blerë pjesë të ndryshme të veturave, ai ka prodhuar një automjet që i ngjason llojit “Bagi”, e cila zhvillon shpejtësinë deri në 90 kilometra në orë, me një motor prej 125 kubikësh.
Motori i kësaj veture “Yamaha” është i modifikuar me një varg pajisjesh të tjera, të cilat ia mundësojnë zhvillimin normal duke shpenzuar 5 litra karburante të benzinës për 100 km.
Vetura fillimisht është destinuar për rrugë malore, mirëpo ajo tashti përdoret edhe për rrugë të asfaltuara derisa motori ka fuqi prej 7 kilovatësh, ndërkaq vozitja e kësaj veture është adrenalinë më vete dhe mjaft stabile.