Shpresa se sanksionet mund të ishin mundësi

Prishtinë | 15 Sht 2023 | 17:19 | Nga Afrim Kasolli

Ndonëse vetë kryeministri Kurti nuk e ka thënë hapur personalisht, mirëpo nga mënyra se si reagonin disa eksponentë të afërt me të kur bashkësia ndërkombëtare e paralajmëronte Kosovën për mundësinë e imponimit të masave sanksionuse për shkak të qasjes së saj në procesin e dialogut, duket sikur pushteti ka pasur një lexim tjetër të situatës. Këtë mundësi madje ata filluan ta përjetojnë jo si ndëshkim fatal për Kosovën, por si një shans historik dhe eksperiment që nuk duhej lëshuar nga dora. Madje edhe mundësi që efektet e tij të kishin ndikim transnacional.

Sipas tyre, ky skenar as që do të guxonte të ndodhte, sepse pas ketij akti do të trandej politika e kontinentit të vjetër. Forcat e mirëfillta demokratike do të revoltoheshin kundër kësaj padrejtësie që po e impononte diplomacia e salloneve ndaj shtetit më demokratik në rajon. Politika evropiane do të përçahej. Kurse Kosova do ta gëzonte përkrahjen e opinionit të gjerë demokratik panevropian për kauzën e saj. Në këtë mënyre qasja e Albin Kurti, pas dështimit të Alexis Tsipras dhe partisë së tij Syriza, do të mund të shndërrohej një moment shkëndijimi për këto ndryshime të domosdoshme.

Mirëpo, ja ku jemi. Kosova ende nën peshën e sanksioneve dhe e kualifikuar nga diplomacia ndërkombetare si palë përgjegjëse për stagnimin e dialogut, kurse qytetari mesatar evropian i zhytur në hallet e jetës së tij të përditshme.

Iluzione të tilla ku liderë të vegjël shpresojnë se me veprimet e tyre mund t’i prishin skemat e politikës së madhe janë shfaqur jo pak herë gjatë historisë. Mirëpo, ato kanë përfunduar në mënyrë fatale për ta dhe vendin e tyre

Të ngjashme