Shpresat e Kosovës synojnë fitore ndaj Austrisë

Prishtinë | 09 Tet 2020 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Mirlind Daku është lojtari bindshëm më në formë në Superligën e Kosovës në futboll. Për pesë ndeshje ka shënuar dhjetë gola për liderin e elitës së futbollit kosovar, Ballkanin.

Nga sulmuesi shtatlartë Daku pritet shumë edhe nga përfaqësuesja U21 e Kosovës, që të premten (sot, 19:00) do të luajë kundër Austrisë ndeshjen e shtatë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2021. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Nuk e kam mendjen te golat, por dua që ta ndihmoj ekipin. Nëse më jepet rasti edhe do të shënoj, pasi është ndjenjë shumë e mirë të shënosh për Kosovën, andaj shpresoj të më jepet mundësia në këto ndeshje”, thotë Daku të enjten për KOHËN.

Kosova për ndeshjen ndaj Shpresave të Austrisë e ka zhvilluar të enjten edhe stërvitjen e fundit. Gjithë përgatitjet i ka zhvilluar në Kosovë me synimin për ta fituar ndeshjen kundër Austrisë. Megjithatë, Daku e cilëson si ndeshje të vështirë përballjen kundër austriakëve që renditen në pozitën e dytë në grup.

“Na pret një ndeshje e vështirë, duke marrë parasysh që kemi kundërshtarë të fortë përballë, por ne do ta japim maksimumin që të dalim triumfues nga stadiumi ynë. Unë personalisht kam besim se mund t’ia dalim. Shpresoj të jemi në formën më të mirë dhe ta bëjmë krenar gjithë vendin tonë. Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje dhe dëshira e të gjithëve është që ta japin maksimumin ”, ka thënë Daku.

Për herë të parë me Shpresat e Kosovës është bashkuar sulmuesi Edi Sylisufaj dhe lojtari i krahut, Alban Ajdini, që ishin të pranishëm në stërvitjen në Drenas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme