Shpronësimi për Autostradën ngjallë interesim të madh te banorët

Hani i Elezit | 03 Maj 2017 | 14:55 | Nga

Me propozimin e Departamentit të Shpronësimit në MMPH, Qeveria e Kosovës me 5 prill ka miratuar vendimin me të cilin aprovon për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Sektori C3, Zonat Kadastrale: Paldenicë, Neqavc, Dimcë dhe Hani i Elezit, Komuna Hani i Elezit.

Bazuar në nenin 9 të Ligjit për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205, Organi Shpronësues, është i obliguar të mbajë dëgjimet publike me pronarët e pronave të cilat janë pjesë e shpronësimit.

Duke u bazuar në këtë obligim Ligjorë sot është mbajtur dëgjimi publik lidhur me shpronësimin e kërkuar të të drejtave pronësore apo të drejtave të tjera në pronat e paluajtshme, që ndodhen brenda juridiksionit territorial të Komunës së Hanit të Elezit, përkatësisht për zonat kadastrale: Paldenicë, Neqavc, Dimcë dhe Hani i Elezit.

Shumë banorëve, prona e të cilave do të jetë objekt i shpronësimit lidhur me këtë proces u njoftuan në këtë takim.

Afrim Murati, drejtor i Zyrës së Shpronësimit i njoftoi të pranishmit lidhur me vendimin e Qeveris së Kosovës duke i udhëzuar banorët lidhur me hapat që duhet t’i ndërmarrin banorët për të realizuar të drejtat e tyre në këtë proces.

Selatin Ismajli, hartues i projektit të shpronësimit i njoftoi banorët me disa aspekte teknike lidhur me projektin e autostradës. Ai tha se autostrada Prishtinë-Hani i Elezit në territorin e komunës së Hanit të Elezit do të përshkojë me një gjatësi prej 4 800 m, do t’i ketë katër korsi, ndërsa shtrati i autostradës do të jetë i gjerë nga 28 e deri mbi 200 m, varësisht prej specifikeve të terrenit.

Ndërsa kryetari i komunës, Rufki Suma, vlerësoi se ky projekt ka shumë specifika dhe do të ketë shumë implikime si në infrastrukturën publike, por edhe në interesin e shumë familje të komunës së Hanit të Elezit.

“Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në të gjitha fazat e realizimit të projektit dhe kërkojmë që në vazhdimësi të jemi të informuar nga ministritë përkatëse”, tha ai.

Ndërsa nga banorët e Hanit të Elezit u bënë shumë pyetje për zyrtarët prezent. Mirëpo shumë pyetje mbeten pa përgjigjeje në mungesë të zyrtarëve nga Ministria e Infrastrukturës dhe të Ministrisë së Financave.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme