Policia e Kosovës, diskutoi rreth sensibilizimit të pjesëmarrësve në trafik, konkretisht mbi përqendrimin e shoferëve në ngasje të automjeteve. Aty u lansua projekti “Përqendrohu në ngasje”.
Samedin Mehmeti, drejtor i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, tha se nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale në trafikun rrugor.
“Të gjithë e dimë se nuk mund të krenohemi për gjendjen në trafik, kemi gjendje me të cilën nuk jemi të kënaqur, por kemi tendencë të përmirësimit dhe të marrim hapa me tendencë përmirësimi”, tha Mehmeti, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, gjendja në trafik po përcillet me probleme të shumta.
“Gjendja e sigurisë në trafikun rrugor po na përcjell me probleme të shumta për një periudhë të gjatë kohore. Aktualisht gjendja e sotme është që për 9 muaj kemi rënie të numrit të aksidenteve, 1584 aksidente më pak”, tha Mehmeti.
Këto komente ai i bëri në konferencën, e cila i dedikohet gjendjes së sigurisë në trafik, masave të ndërmarra, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve me akterët.
“Në Kosovë në 2017 statistikat e nxjerra nga OBSh-ja tregojnë që Kosova e ka numrin e aksidenteve 7.8 në 100 mijë banorë. Ideja jonë është që ky numër me u zvogëluar edhe më tutje”, tha ai.
“Aktualisht ne jemi në shpalosje të sensibilizimit të opinionit për një arsye të rëndësishme sepse 42 aksidente i kemi pas në 2017 që njerëzit kane bere vetë aksident. Arsyet që vjen deri te vetë-aksidenti mund të jenë të ndryshme, por shpresojmë që opinioni të sensibizilohet dhe të merren masa. Numri më i madh i personave të vetë- aksidentuar janë të moshës 20-35 vjeçare”, u shpreh ai.
Zv/ministri i Ministrisë së infrastrukturës, Idriz Selimaj, tha se si ministri po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në përmirësimin e gjendjes.
“MI e ka një kontribut të jashtëzakonshëm sa i përket ndërtimit të infrastrukturës rrugore. Jemi të interesuar që rrugët e Kosovës të jenë të sigurta”, tha Selimaj.
Drejtori i kolegjit Tempulli, Mehmet Krasniqi, tha se për të zvogëluar numrin e vetë -aksidenteve duhet ti hulumtojnë shkaktarët e këtyre aksidenteve.
Në këtë konferencë , folën edhe përfaqësuesit Federatës së Autoshkollave.
Thanë se edhe ata kanë pengesa në punën e tyre.
“Edhe ne kemi disa probleme që po na pengojnë në pjesën praktike, por besoj që edhe ne si Autoshkolla do të kontribuojmë për çështje të sigurisë në komunikacion”, tha kryetari i Federatës së Autoshkollave , Xhemshit Cakolli.