Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, janë kryer 932 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 155 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 34 raste në Tiranë, 24 raste në Durrës, 12 raste në Krujë, nga 9 raste në Korçë dhe Lezhë, 8 raste në Elbasan, nga 7 raste në Kurbin dhe Vlorë, 6 raste në Gjirokastër, 4 raste në Kukës, nga 3 raste në Fier, Kavajë, Përmet, nga 2 raste në Shkodër, Devoll, Lushnje, Mirëditë, Tropojë, Mallakastër, Divjakë, Peqin, Kolonjë, Gramsh, nga 1 rast në Mat, Ura Vajgurore, Klos, Vorë, Maliq, Patos.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 55 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3871 , që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 95 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 12 në terapi intensive nga të cilët 4 pacientë janë të intubuar.
Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbime të specializuar dhe 12 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.
Një punë e madhe po bëhet në dy spitalet COVID, ku përveç pacientëve të konfirmuar pozitivë me Covid19, po vijojnë të marrin trajtim edhe pacientë të dyshuar, të cilët po trajtohen sipas protokolleve përkatëse.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen dy qytetare nga Tirana, një 61 vjeçare dhe një 69 vjeçare me sëmundje bashkëshoqëruese. I shprehim ngushëllimet familjarëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton qytetarët dhe bizneset se: Vendosja e maskës dhe barierrave mbrojtëse në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Bizneset duhet të zbatojnë me rigorozitet masat dhe protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksionit. E vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e SARS COV 2 është të zbatojmë masat e higjenës, distancimit fizik, mbajtjen e maskave dhe barrierave mbrojtëse dhe shmangien e grumbullimeve të cdo lloji. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me Covid19.
Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar mjekun e familjes apo për çdo informacion tjetër rreth Covid19.