Shqipëria destinacioni i preferuar i kosovarëve për pushime verore, edhe shkaku i çmimeve më të lira

Prishtinë | 30 Maj 2022 | 08:49 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Megjithëse vendi po ballafaqohet me një krizë të thellë ekonomike, qytetarët e Kosovës me të cilët bisedoi Ekonomia Online thonë se planfikojnë që pushimet verore t’i bëjnë në bregdetin shqiptar.

Qytetari Rafet Çerkani i cili jeton në Suedi i tha Ekonomia Online, që së bashku me familjen e tij këtë verë do t’a kalojë në njërin nga bregdetet shqiptare, duke përmendur Vlorën si destinacion të mundshëm.

“Pushimet këtë verë do t’i kaloj në Kosovë dhe në Shqipëri diku ku të vendosin fëmijët. Vitin e kaluar kam qenë pak në Ksamil e pak në Sarandë, kemi shëtitur gjithë Shqipërinë. Me gjasë në Vlorë këtë vit”.

Tutje ai shtojë se gjendja dhe buxheti në Kosovë s’është aspak mirë dhe se duhet shumë kohë që të përmirësohet.

Kurse qytetari Gzim Berisha, tha për Ekonomia Online se bregdeti në viset e Shqipërisë është vendi ku ai gjithmonë kalon pushimet verore, pasi që edhe atje punon.

E, sipas tij, politikat e turizmit në këtë vend janë më të mira se në vendet e tjera bregdetare

“Pushimet verore do t’i kaloj në Shqipëri, unë edhe punojë në Shqipëri, kështu që zakonisht aty edhe i kaloj pushimet, në Shëngjin, Velipojë, Vlorë, Sarandë. Edhe Mali i Zi është vend i mirë mirëpo ka politika tjera për turizëm, Shqipëria i ka më të mira politikat për turizëm”, tha ai.

Kurse, qytetari tjetër Valon Selimi i tha Ekonomia Online se këtë vit ani pse çmimet do të jenë të shtrenjta, mbetet me shpresë se do ia dalin.

“Pushimet verore do t’i kaloj në Shqipëri, ose në Durrës ose në Shëngjin, shkaku që jemi mësuar, e ndiejmë veten si në vendin tonë. Në Ulqin nuk kemi qenë kurrë dhe besoj që në Shqipëri është vendi i duhur për ne”.

“Çmimet do të jenë më të shtrenjta për shkak të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, mirëpo besoj që do t’ia dalim”.

Ndërsa për qytetarin tjetër Xhemajl Jasharit, mundësia për të shkuar në pushimet verore varet nga  familjarët e tij që janë në kurbet.

“Gjithmonë kemi shkuar në Shqipëri dhe besoj që është këtë vit do të shkojmë atje. Është pak vështirë për shkak të kushteve por e kemi një djalë në Gjermani dhe një këtu, rejat më punojnë përndryshe vet e kam problem”, tha ai.

Kujtojmë se javën që shkoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka pritur në takim ministren e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, me rastin e organizimit të konferencës “Turizmi i përbashkët Kosovë – Shqipëri”.

Në këtë takim temë diskutimi ishte bashkëpunimi në fushën e turizmit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ofertat turistike në mes të dyja vendeve.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, ka thënë se çmimet në bregdetin shqiptar nuk do të jene te ekzagjeruar.

“Vlera e shtuar e këtij takimi ka qenë të ulurit në tavolinë të sektorit privat nga turizmi. Turizmi është më i rëndësishmi në Shqipëri me 2 milionë vizitorë. Kjo i shërben për të ndërtuar treg të hapur të turizmit. Këto pyetje shkojnë të sektori privat. Kemi vit ndryshe dhe është një vit që po përballet me rritje çmimesh të energjisë dhe karburanteve”.

“Unë konfirmoj që në Shqipëri ne kemi ruajtura të njëjtat çmime për familjarë dhe biznesin e vogël. Kemi rritje të madhe të numrit të hoteleve dhe zgjerim të hartës turistike. Ftoj gjithë miqtë e Kosovës të vizitojnë edhe vendet tjera malore jo vetëm bregdetin. Çmimet nuk do të jenë të ekzagjeruar”, tha ajo.

Të ngjashme