Shqipëria sekuestron pasurinë 2.1 milionë euro të dy shtetasve të huaj, njëri nga Juniku

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Aseti”, duke sekuestruar pasurinë e dy shtetasve të huaj.

Uniformat blu bëjnë me dije se kanë sekuestruar një pasuri që kap vlerën e 2.1 milionë euro.

Dy personat të cilëve iu është sekuestruar pasuria janë më rekorde kriminale, çka ngre dyshime të forta se kanë fituar paratë në mënyrë të paligjshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor “Asetet”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.

Finalizimi i operacionit, pas një viti hetimesh intensive dhe komplekse.

Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të 2 shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2.1 milionë euro.

Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor “Asetet”, për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në funksion të procedimit penal të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas provave të grumbulluara gjatë një viti hetimi, finalizoi operacionin policor të koduar “Asetet”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve:

-H. L., 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër;

-R. (A.) S., 47 vjeç, lindur në Poloni, dhe banues në Olten, Zvicër;

-H. L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.

Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht:

3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;

Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;

Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;

6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;

Vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme