Shqipëria do të performojë sot në skenën e “Eurovision Song Contest”, ku përfaqësohet nga Alis me këngën “Nan”, një krijim që sjell në qendër figurën e nënës dhe rëndësinë e saj në familjen shqiptare.
Edicioni i 70-të i festivalit evropian të këngës po zhvillohet në arenën “Wiener Stadthalle” në Vjenë, nën moton “Të bashkuar nga muzika”. Këtë vit, në garë marrin pjesë 35 shtete, ndërsa Shqipëria synon kualifikimin në finalen e madhe.
Alis do të ngjitet në skenë në natën e dytë gjysmëfinale, i 13-ti në radhë. Performanca e tij është vlerësuar për mesazhin emocional dhe për ndërthurjen e thjeshtësisë së tekstit me një atmosferë muzikore të ndjerë.
Në një intervistë për RTSH, këngëtari ka treguar emocionet e përgatitjeve dhe provave në skenën e madhe të Eurovisionit.
“Është ëndërr. Në momentin e parë që kam shkuar për prova, nuk ndihesh sikur po bën provë, por sikur po të shikon e gjithë bota. Jam jashtë mase mirënjohës për gjithë mbështetjen e shqiptarëve dhe uroj t’i bëj sa më krenarë”, u shpreh Alis.
Përveç garës, artisti theksoi edhe atmosferën miqësore mes konkurrentëve, duke lënë të hapur mundësinë për bashkëpunime ndërkombëtare pas festivalit.
Këtë vit, Unioni Evropian i Transmetimeve ka forcuar rregullat e votimit, duke përgjysmuar numrin maksimal të votave për person në 10, si masë për të shmangur parregullsitë.
Për të mbështetur Shqipërinë, votuesit në vendet pjesëmarrëse të Eurovisionit duhet të votojnë për këngën me numrin 13, sipas udhëzimeve dhe kodeve përkatëse të shtetit ku ndodhen. Ndërsa publiku nga vendet që nuk marrin pjesë në festival mund të votojë gjatë ditës, nëpërmjet platformës zyrtare të Eurovisionit.
Mbështetja e publikut dhe e diasporës shqiptare pritet të jetë vendimtare për kualifikimin e Shqipërisë në finalen e madhe.