Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në lidhje me shkrimin “Kardiologjia Invazive me notë proteste në adresë të Hotit për marrjen e hapësirave të repartit”.
SHSKUK sqaron se organizimi i hapësirave dhe personelit është bërë konform situatës me COVID-19.
Njoftimi i plotë:
Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, në lidhje me shkrimin “Kardiologjia Invazive me notë proteste në adresë të Hotit për marrjen e hapësirave të repartit”, sqaron se organizimi i hapësirave dhe personelit në ShSKUK është bërë konform situatës me COVID-19.
Menaxhmenti i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive ka qenë i konsultuar dhe i njoftuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, i cili ka pasur takim me menaxherët e klinikave dhe shefat e njësive. Poashtu, Komisioni për zgjerimin e kapaciteteve spitalore ka mbajtur disa takime nga të cilat kanë dalë vendime për zbatimin e të cilave është pajtuar edhe drejtori i këtij shërbimi.
Kjo shkresë e Kardiologjisë Invazive vjen vetëm 12 orë pas publikimit të raportit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të ShSKUK, i cili dëshmon keqpërdorime financiare dhe keqmenaxhim organizativ në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, të udhëhequr nga dr. Tefik Bekteshi.
Ndaj atyre që kanë keqpërdorur besimin e menaxhmentit dhe qytetarëve, duke u munduar të fshihen pas “ kujdesit të shtuar për pacientë” do të veprohet konform akteve ligjore në fuqi
Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se personeli ShSKUK-së, do të ofrojë shërbime të kujdesit shëndetësorë për të gjithë qytetarët në nivelin më të lartë profesional të mundshëm.