Shtatë të arrestuar për dhunë në familje në disa qytete të Kosovës

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 13:25 | Nga Ekonomia Online

Në Prishtinë, Lipjan, Rahovec, Gjakovë e Fushë Kosovë shtatë persona janë arrestuar për dhunë në familje.

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh bën të ditur se në Rahovec është arrestuar dje një i dyshuar, i cili së bashku me të dyshuarën femër kosovare kanë sulmuar në mënyrë fizike dhe verbale, viktimën femër kosovare, e cila ka pësuar lëndime të lehta trupore.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë PK.

E në Gjakovë është arrestuar një i dyshuar pasi ka kanosur verbalisht babanë e tij.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në komunikatë.

E në një rast tjetër në Gjakovë një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur verbalisht nga i dyshuari mashkull kosovar përmes telefonit.

PK shton se nuk raportohet për të arrestuar, e rasti vazhdon të hetohet.

Derisa në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj, vazhdimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

“Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet”, thotë PK.

Por, në një rast tjetër në Prishtinë, tre persona janë arrestuar me dyshimin se kanë sulmuar një person pas një mosmarrëveshje.

“Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thotë PK.

Në Fushë-Kosovë viktima, një burrë kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij, i dyshuari mashkull kosovar. Rasti është duke u hetuar.

Kurse në Lipjan një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj, i dyshuari mashkull kosovar, nën ndikim të alkoolit e ka dëbuar atë nga shtëpia.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

E dje në Lipjan gjithashtu është arrestuar një burrë me dyshimin se i njëjti pas një mosmarrëveshje ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare.

“E njëjta ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë PK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme