Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi që ligji, i cili kërkon nga refugjatët që të aplikojnë për azil në shtetin e parë, në të cilin arrijnë, duhet të zbatohet edhe në rrethana të caktuara.
Rasti që në gjykatë u paraqit nga Austria e Sllovenia, mund të ndikojë në të ardhmen e mijëra njerëzve, të cilët arritën në BE gjatë krizës mes viteve 2015-2016.
Vendimi i referohej rastit të dy familjeve afgane dhe një siriani që aplikuan për azil në Kroaci dhe tani nuk pranojnë që të kthehen aty. Sipas Gjykatës Evropiane, Kroacia duhet të vendosë vetë për rastin e tyre, raporton KTV.
Nën të ashtuquajturën ‘Marrëveshje e Dublinit’, refugjatët do të duhej të kërkonin azil në shtetin e parë të BE-së, në të cilin arrijnë. Por, Gjermania suspendoi marrëveshjen e Dublinit për refugjatët sirianë, duke ndaluar dëbimin e tyre në shtetet ku kishin ardhur.
Nga gushti i vitit 2015 mijëra njerëz arrinin në Austri çdo ditë, kryesisht përmes Hungarisë dhe më pas edhe Sllovenisë. Shumica donin të shkonin në Gjermani, por rreth 90 mijë prej tyre aplikuan për azil në Austri, e që ishte numër i barabartë me 1 për qind të popullsisë.
Në mesin e tyre ishin dy motra nga Afganistani, Hadija dhe Zainab Jafari, me fëmijët e tyre që arritën në kufirin austriak në shkurt të vitit 2016. E sipas avokatit Stephan Klammer, motrat erdhën në Austri me transport të organizuar nga qeveritë tjera.
“Ato erdhën nga Maqedonia. Në kufirin me Austri motrat u lejuan të hynin, sepse donin të kërkonin azil në vend”, tha avokati. Por, sikurse edhe shumë afganëve tjerë, azili nuk iu dha.
Autoritetet austriake vendosën që ato duhet të kthehen në Kroaci, pika nga ku hynë në BE, gjithçka nën rregullatorin e Dublinit. Ky rast i motrave Jafari u dërgua në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, bashkë me incidente të ngjashme në Slloveni.
Gjykata tani thotë se kalimi i kufirit kroat konsiderohet ilegal nën rregullatorin e Dublinit.
Nëse një shtet evropian lejon një shtetas joevropian të hyjë në territor të tij për arsye humanitare, e njëjta nuk do të duhej të vlejë edhe për shtetet tjera evropiane.
Avokati Klammer beson se vendimi do të prekë mijëra njerëz të tjerë azilkërkues të dëbuar në Kroaci.
Në kulmin e krizës së refugjatëve gjatë së cilës më shumë se 1 milion njerëz arritën në Evropë, autoritete kroate organizonin transportin e refugjatëve deri në kufi me Slloveninë, që të mund të aplikojnë për azil në shtete tjera.
Por, Sllovenia e Austria, duke u thirrur në marrëveshjen e Dublinit konsideruan se Kroacia duhet shqyrtuar aplikacionet e tyre, marrë parasysh se hynë ilegalisht në vend.
Ndër të tjera, gjykata refuzoi kërkesën e Hungarisë, Sllovakisë dhe Polonisë, të cilat nuk donin të pranonin kuotat e caktuara nga BE-ja për pranimin e refugjatëve. Sipas gjykatës, skema për rilokimin e refugjatëve është e ligjshme dhe e duhur.