Debutimi i Leon Dajakut të dielën në Bundesligë ka rritur në gjashtë numrin e shqiptarëve që janë pjesë e klubeve të ndryshme elitare të Gjermanisë. Dajaku, 17-vjeçar, debutoi me skuadrën e Stuttgarit, derisa në klubet e tjera janë edhe pesë futbollistë.
E me këta gjashtë talentë, numri i shqiptarëve që luajnë në katër ligat më të forta evropiane: Angli, Spanjë, Gjermani e Itali, shkon në 24, që është më i madhi ndonjëherë, shkruan sot Koha Ditore.
Lojtarët shqiptarë janë duke bërë karrierë sidomos në Serie A të Italisë – plot dhjetë. Pasojnë gjashtë në Bundesligën gjermane, pesë në Premier Leaguen e Anglisë dhe tre në La Ligan e Spanjës.
Në Ligue 1 të Francës, që është liga e pestë për nga cilësia në Evropë, nuk luan asnjë shqiptar tash për tash.
“Jam i kënaqur që kam debutuar në Bundesligë, ky është vetëm fillimi për mua. Pres të kem edhe paraqitje tjera në Bundesligë këtë edicion”, ka thënë Dajaku për gazetën pas debutimit të dielën.