Kampionati Botëror i pingpongut i paraparë të mbahet në Kore të Jugut në mars, është shtyrë deri në qershor për shkak të koronavirusit, raporton agjencia Reuters të martën, transmeton Koha.net.
Botërori ishte paraparë të mbahej nga 22 deri më 29 mars në qytetin jugor Busan, por është shtyrë në qershor. Pritet të mbahet nga 21 deri më 28 qershor.
“Duke marrë parasysh paqartësinë dhe situatën ndryshuese në Republikën e Koresë pas përhapjes së koronavirusit. Vendimi është marrë duke pasur në prioritet shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve, zyrtarëv dhe tifozëve”, është thënë në komunikatë të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut.
Virusi ka prekur më tepër se 80 mijë njerëz në mbarë botën, e janë regjistruar mbi 2600 të vdekur.
Autoritetet shëndetësore të Koresë së Jugut janë duke luftuar me ndalimin e përhapjes së virusit, ku janë regjistruar deri të martën 893 raste. Nëntë kanë vdekur nga koronavirusi në këtë shtet.