Shtyhet gjykimi ndaj deputetit për mashtrim me subvencione

Prishtinë | 02 Mar 2018 | 12:24 | Nga

Është shtyrë gjykimi ndaj deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, i akuzuar për ushtrim ndikimi dhe mashtrim me subvencione dhe të akuzuarit për mashtrim me subvencione, Bajram Gashi.

Shkak i shtyrjes së këtij gjykimi, i paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte kërkesa e mbrojtësit së të akuzuarit Bajram Gashi, avokatit Bajram Trushupa, shkruan Betimi për Drejtësi.

Avokati Trushupa, me një parashtresë dërguar gjykatës kishte kërkuar shtyrjen e këtij gjykimi për një ditë tjetër, me arsyetimin se ishte i sëmurë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 mars 2018, në ora 10:15.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 18 maj të vitit të kaluar, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Etem Arifi, është deklaruar i pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkohet.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër në këtë rast, Bajram Gashi kishte deklaruar se i pranon veprimet e tij, por nuk e ndien veten fajtor për veprën penale “mashtrim në subvencione”.

Sipas aktakuzës, Etem Arifi ka shfrytëzuar pozitën e tij të deputetit për të ndikuar për dhënien e subvencioneve për OJQ-në “Zëri i Ashkalinjëve për Integrim”, duke siguruar në këtë mënyre shumën prej 25.646.00 euro. Këto para, sipas prokurorisë, nuk janë përdorur për qëllime për të cilat janë dhënë, por janë përvetësuar nga Arifi dhe Gashi për persona të tjerë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor, të njëjtit të shpallen fajtor për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Gjithashtu, të akuzuarit e lartpërmendur janë obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t’ia kompensojnë shumën prej 22.900.00 euro, si dhe Zyrës së kryeministrit për komunitete shumën prej 2.749.00 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme