Ish-drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, nuk do të kthehet në punë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Bordit Drejtues, me ç’rast ka shtyrë ekzekutimin e Vendimit të Inspektoratit të Punës.
“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, ka pranuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Aktvendimin A.nr.1690/2020, përmes së cilit është njoftuar se është aprovuar kërkesa e Bordit Drejtues të ShSKUK-së, për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të Inspektoratit të Punës, me nr. 7389 të datës 05.10.2020, për kthim në punë të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, deri në vendimin definitiv gjyqësor, sipas padisë së bërë nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së”, thuhet në njoftim e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Në njoftim thuhet se Bordi Drejtues i SHSKUK, edhe njëherë shprehë bindjen se Vendimi për shkarkim të ish-drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, është i drejtë dhe i bazuar.
Sejdiu ishte shkarkuar në korrik nga detyra në krye të SHSKUK-së, ndërsa ai ishte ankuar në Inspektorat të Punës. Në shkallën e parë ishte konstatuar një mori shkeljesh në shkarkimin e Sejdiut nga Bordi Drejtues dhe ishte kërkuar kthimi i tij në punë. Bordi Drejtues u ankua në shkallën e dytë, por ankesa është refuzuar.