Procesi mësimor në 28 shkolla fillore dhe gjashtë të mesme në Komunën e Pejës ka filluar të hënën, përveç në dy shkolla fillore në qytetin e Pejës, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Xhemajl Kada”, në të cilat për shkak të rinovimeve ende të papërfunduara, procesi mësimor do të nisë me një javë vonesë.
“Gjatë pushimeve verore kemi punuar intensivisht për t’i kryer rinovimet me kohë, por në shkollat ‘Xhemajl Kada’ dhe ‘Lidhja e Prizrenit’ nuk kemi arritur t’i përfundojmë me kohë. Në këto dy shkolla mësimi do të fillojë më 9 shtator, kurse të gjitha orët e humbura të kësaj jave do të zëvendësohen”, tha drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, shkruan sot Koha Ditore.
Në shkollën “Lidhja e Prizrenit” gjatë verës janë punuar tualetet e reja brenda shkollës, në hapësirat që kanë qenë në fund të korridoreve nga të dyja anët, në dy katet e shkollës. Deri tash tualetet kanë qenë në një aneks jashtë shkollës, i cili do të rrënohet. Planifikohet që për shkak të sigurisë së nxënësve, të nxirret jashtë objektit kaldaja e ngrohjes qendrore, që do të vendoset në një aneks të vogël që do të ndërtohet.