Me 51 deputetë në sallë, është shtyrë për nesër votimi për rezolutën e propozuar nga LDK-ja lidhur me dialogun me Serbinë, në të cilën thuhet se territori është një dhe i pandashëm dhe se as presidenti dhe askush tjetër nuk ka mandat të negociojë për territorin e Republikës së Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të mos votohet sot rezoluta e propozuar por të futet nesër si pikë e parë e rendit të ditës. Ndërsa, kërkoi që propozimet e grupit parlamentar të PDK-së për të futur edhe disa pika të tjera në këtë rezolutë, të shoqërohen me 62 nënshkrime të deputetëve të koalicionit qeveritar.
“Duke qenë se nuk ka kuorum sonte për ta nxjerrë në votim këtë rezolutë, propozoj që nesër në ndërrim të senacës ta nxjerrim në votim. Nga të gjitha diskutimet, askush nuk del në kundërshtim me këtë pikë të rezolutës. Të gjithë janë për. Unë propozoj që ta votojmë këtë rezolutë që e kemi propozu ne si opozitë. Këto pika që i keni nxjerrë ju, nënshkruani 62 deputetë që jeni në koalicion qeverisës dhe dërgojini opozitës. Do ta shqyrtojmë me kujdes, por së pari do t’i nënshkruajnë 62 veta si deputetë të opozitës dhe pastaj mund të ulemi të diskutojmë propozimin e pozitës. Propozoj që nesër të jetë pikë e parë dhe të shkojë në votim”.
Memli Krasniqi, nga grupi parlamentar i PDK-së ka thënë se shpreson që ky të jetë gabim dhe se pikat e propozuara nga grupi i tij të merren parasysh nga LDK-ja. Kurse, është shprehur se është i befasuar, teksa ka thënë se është i gatshëm kurdo të bisedojë edhe një herë rreth tyre.
“Nëse nuk ekziston vullneti për të dakorduar rezolutën me pikat të cilat unë sot i kam lexu, atëherë besoj që kjo është një mënyrë e qëllimshme e pamundësimit të daljes nga situata aktuale. Nëse refuzon që të ulemi bashkarisht përfaqësuesit e grupeve parlamentare për ta biseduar një rezolutë të përbashkët gjithëpërfshirëse, kisha kërku nga kolegët e opoiztës cilat pika që i kemi propozu janë të pa pranueshme për ta, ne nuk kemi propozu rezolutë, kemi propozu pika për rezolutë”.
“Ne kemi propozu që të flitet për qëllimet e Kosovës në këtë dialog, duke përfshi njohjen e ndërsjellë me Serbinë dhe shpejtimin e procesit integrues në NATO dhe BE. Kemi thënë që Kuvendi duhet ta ketë rolin vendimtar dhe nuk besoj që ka deputet është kundër kësaj dhe kemi thënë që përveç territorit, nuk diskutohet as për karakterin unitar të shtetit tonë”.
“Propozoj të ulemi bashkë, kur të doni, sonte, nesër, në mëngjes, kur të doni, t’i diskutojmë këto pika. Ka edhe pika tjera që janë diskutu ose janë përsërit gjatë këtij debati dhe të arrijmë në harmonizim e një teksti që i përfaqëson qëndrimet e shumicës dhe ta qesim për votim”.
Bilall Sherifi, nga grupi parlamentar i Nismës, ka thënë se pozita dhe opozita kanë nevojë për njëra tjetrën.
“Kërkoj që në procesin e harmonizimit, nesër të vazhdojmë me harmonizim të kësaj dhe të na tregojë cilat janë ato pika të mazhorancës. Të fillojmë nga ajo se çka mund të bëjmë ne si deputet dhe të ecim përpara. Esenca e krej këtij debati është që procesi i dialogut në asnjë mënyrë nuk guxon të përfundojë në dëm të Kosovës. Opozita ka nevojë për mazhorancën, mazhoranca ka nevojë për opozitën. Kanë nevojë për njëra tjetrën”.