Shtyrja e votimit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol nga kryeministri Ramush Haradinaj është një vendim që mund të rrezikojë qytetarët e Kosovës për shkak të fletarresteve që Serbia i ka lëshuar në këtë mekanizëm ndërkombëtar.
Kështu vlerëson njohësi i çështjeve të sigurisë në vend, Avni Islami.
“Kosova do të duhej që sa më parë të ishte pjesë e INTERPOL-it për shkak të disa fletarresteve të cilat po i lëshon Serbia e që janë të motivuara politikisht”, tha Islami për AktivPress.
Ai shton se kjo tërheqje në aplikim vjen si rezultat i rekomandimeve të ndërkombëtarëve, pas mungesës së votave.
“Tërheqja në të vërtetë është bërë me rekomandimet e miqve ndërkombëtarë për shkak se Kosova nuk i ka dy të tretat, pra numrat e mjaftueshëm për anëtarësimin në këtë organizatë”, deklaroi Islami.
Mes tjerash, ai theksoi se marrja e këtij vendimi nuk ndikon direkt negativisht për sigurinë e përgjithshme të Kosovës, megjithëse vlerëson së anëtarësimi në INTERPOL është i një rëndësie të veçantë.
“Nuk ka pasoja të theksuara për sigurinë shtyrja e anëtarësimit, meqë Kosova është pjesë edhe e organizmave të tjera ndërkombëtare, pasi ka bashkëpunime me EULEX-in dhe KFOR-in. Vendi ynë ka bashkëpunim të shkëlqyer edhe me organizata të ndryshme të policisë, qoftë me ato rajonale apo ndërkombëtare”, tha ai.
Eksperti për çështje të sigurisë, theksoi se Kosova duhet të bëjë presion psikologjik në aspektin pozitiv që të sigurojë votat për anëtarësim në këtë mekanizëm relevant ndërkombëtar.
“Do të rekomandoja institucionet e Kosovës, Qeverinë që të punojnë edhe më tutje me këmbëngulje të bëjnë presion për tu anëtarësuar në organizatë. Duhet të informohen me kohë shtetet anëtare, të cilat hezitojnë që Kosovën ta njohin dhe ta pranojnë në organizatë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka marrë vendim që të shtyjë votimin e Kosovës në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Haradinaj u ka bërë thirrje diplomatëve që në takimin e radhës të punojmë më shumë në mënyrë që Kosova të votohet anëtare e INTERPOL-it.
Ndërkohë presidenti Hashim Thaçi, pas dështimit për anëtarësim të Kosovës në UNESCO e INTERPOL, po lobon në Nju Jork që vendi të jetë pjesë e organizatave të tjera ndërkombëtare.