Programi i Qeverisë Kurti parasheh që ta transformojë Agjencinë Kosovare për Privatizim (AKP), në agjenci brenda Qeverisë.
Paralelisht kësaj, Qeveria do të krijojë Fondin Sovran, i cili do të marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime të jashtme dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.
Mirëpo sipas njohësve të çështjeve ekonomike në vend, shuarja e AKP-së po konsiderohet tentim i Qeverisë për mbikëqyrje të plotë mbi të gjitha agjencionet e pavarura.
Kjo sipas tyre po konsiderohet gabim pasi që të gjitha shtetet kanë një agjencion të pavarur të privatizimi, duke përmendur edhe pasojat që mund t’i shkaktojë buxhetit të shtetit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini në një intervistë për Ekonomia Online tha se AKP-ja në asnjë formë nuk duhet të shuhet dhe të zëvendësohet me Fond Sovran.
Madje sipas tij, AKP-ja duhet të reformohet dhe të avancohet.
“Mendoj që kjo është një tentim i qeverisë për mbikëqyrje të gjitha agjencioneve të pavarura dhe kjo është gabim sepse të gjitha shtetet e kanë një agjencion të pavarur të privatizimit dhe Fondi Sovran mund të themelohet pikërisht nga fondet që vinë nga privatizimi, por në asnjë formë që kjo të shuhet por kjo duhet të reformohet, të avancohet, duhet të jetë më atraktiv për investitorë dhe asetet të cilat kanë mbetur pa u shitur edhe pse tash shumica e aseteve janë shit në Kosovë ato që kanë qenë të rëndësishme”.
Sipas Shahinit, shuarja e AKP-së paraqet dëmtim të imazhit të vendit, derisa ka shtuar se edhe punëtorët që janë të punësuar aty do të mbesin pa punë.
Mirëpo, ai nuk beson se mund të realizohet një vendim si ky, pasi që ai thotë se Qeveria duhet të merr rekomandime nga partnerët ndërkombëtarë dhe ata vendorë.
“Mendoj që shuarja e AKP-së promovon fuqinë e shtetit mbi agjenicionet e pavarura, kjo paraqet rrezik në imazhin e vendit dhe të gjithë ata punëtorë që janë të punësuar të mbesin pa punë por në anën tjetër kjo paraqet rrezik pasi humb pavarësia dhe vendimmarrja në agjencione dhe kjo promovon mbikëqyrje të rreptë tek të gjitha agjencionet”.
“…qeveria do të duhej që të avancon me referomë në këtë agjencion të bënë më atraktiv për investitorë të bënë me joshës për ata që janë të interesuar të blejnë këtë prona. Nuk besoj se mund ta realizojë një vendim të tillë dhe qeveria duhet ti merr rekomandimet edhe parterëve të tjerë vendor e ndërkombëtarë”, tha Shahini për EO.
Edhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Safet Gerxhaliu thotë se janë afër 22 mijë kontekste gjyqësore në Dhomën e Posaçme dhe janë më tepër se 2 mijë kontekste tjera në Gjykatën Themelore, e që sipas tij nëse këto barten nga AKP-ja atëherë është e pamundura për tu zgjidhur.
“Duhet të kuptohet që nëse bëhet një analizë më e thuktë procesi i privatizimit ka qenë ndoshta një ndër proceset që e ka dëmtuar më së shumti zhvillim ekonomik në Kosovë, e krejt ka ndodhë për hir të politizimit të këtij Agjenicioni dhe në rend të dytë do të thotë për hir të asaj që i ka munguae përgjegjësia dhe sundimi i legjitm. Në këtë drejtim çdo qeveri duhet të ketë kujdes në vendimet me mbylljen eventuale apo bartjen e këtij agjencioni qoftë në qeveri apo institucione të tjera me vetë faktin se me vite janë grumbulluar shumë sfida dhe probleme. Për momentin janë afër 22 mijë kontekste gjyqësore në dhomën e posaçme dhe janë më tepër se 2 mijë kontekste tjera në Gjykatën Themelore”.
“… në të njëjtën kohë kemi afër 130 milionë euro kërkesa të aprovuara nga të cilat deri më tani janë paguar vetëm 35 milionë euro, ajo çka është më interesante se kërkesa e debitorëve në AKP është më tepër se 1 miliard e 900 milionë euro dhe 85% e tyre janë refuzuar mirëpo ato ankesa kanë vazhduar në Gjykatat e tjera, dhe ku krejt kësaj i shtohet edhe fakti tjetër në këtë proces janë edhe kërkesa të tjera që kanë të bëjnë me Trepçën janë 1 miliard e 600 milionë euro dhe si mund të zgjedhën të gjitha këto kontekste nëse bëhet bartja, janë më tepër 145 të punësuar dhe prapë do të jetë një sfidë sociale”.
Gërxhaliu tutje ka theksuar se vetëm nëse ndodh shuarja e AKP-së atëherë do të legalizohet borxhi dhe do të rritet presioni ndaj Qeverisë.
Ai po e sheh të udhës që të rritet llogaridhënia, përgjegjësia dhe zbatimi i kërkesave në AKP, raporton EO.
“Nëse do të bartet një Agjencion në qeveri do të legalizohet borxhi dhe presioni në qeveri do të jetë më i madh se tani në Gjykata, dhe do të jetë një goditje direkt për buxhetin e Kosovës dhe është e pa mundur të përballohen të gjitha këto kërkesa”.
“Është e rrugës që të rritet llogaridhënia, është shumë e rrugës që të rritet përgjegjësia për mos zbatim të kërkesave, por duhet analizë dhe fizibilitet dhe atëherë të vendoset gjithmonë bazuar në dialog, partner publiko-privat por edhe mes pozitës dhe opozitës. Një zëvendësim në aspektin kohor duhet të mendohet nëse do të ketë bazë ligjore”.