Gani Thaçi, vëlla i presidentit Hashim Thaçi, nuk ka mundur të pajtohet me idenë për shuarjen e pozitës së tij brenda Byrosë Kosovare të Sigurimeve. Ky dyshohet të jetë shkaku që e ka shtyrë të mërkurën atë dhe shoferin e tij që t`i sulmojë fizikisht shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkolli, si dhe drejtorin e kompanisë private të sigurimeve “Illyria”, Gianni Sokolic.
Të dytë po dyshohen për veprën penale të sulmit. Pas intervistimit, Prokuroria ka vendosur që t`i lirojë për t`u mbrojtur në procedurë të rregullt.
Thaçi, që nga marsi i vitit 2007 mban pozitën e koordinatorit të përgjithshëm për planifikim strategjik në BKS.
Aktualisht, siç ka mësuar “Koha Ditore”, është duke u shqyrtuar statusi i kësaj byroje. Në kuadër të statusit pritet të bëhen edhe ndryshime në pozitat brenda këtij institucioni.
Sulmi nga Thaçi dyshohet të jetë nxitur pikërisht nga këto ndryshime që pritet të bëhen.