Shukri Buja u përmend sot në media se mund të jetë ndër të akuzuarit e parë të Gjykatës Speciale, aktakuzat e të cilës mund të fillojnë të ngrihen pas 17 Shkurtit. Megjithatë, Buja ka refuzuar të komentojë shkrimet rreth tij.
Njëri nga udhëheqësit e UÇK-së, e tashmë anëtari i Nismës për Kosovën, Shukri Buja që po përflitet si njëri nga të akuzuarit e parë nga Gjykata Speciale, i kontaktuar nga Gazeta Blic, nuk ka dashur të komentojë këtë çështje.
Ai ka thënë se as nuk ka informatë që në media po qarkullon diçka e tillë, duke e pritur kështu me habi se emri i tij mund të figurojë në listën e të akuzuarve të Speciles.
Buja tha për Gazeta Blic se nuk ka asnjë informacion dhe nuk ka lexuar lajmet, duke u habitur kështu dhe duke mos pranuar që të komentojë.”Nuk kam koment, nuk kam koment”, përsëriti ai.
Ndryshe në një shkrim të publikuar sot nga Insajderi, mbi 60 ish-drejtues dhe ish-pjetarë të UCK’së, do të akuzohen nga Zyra e Prokurorit të specializuar në Hagë.
Të akuzuarit e parë do të jenë Azem Syla, Shukri Buja, Sokol Dobruna e Daut Haradinaj.
Shukri Buja, dyshohet për rolin e tij në disa krime gjatë dhe pas luftës. Mes tyre është një sulm mbi një familje shqiptare në Godanc të Lipjanit.
Nën hetime për krime të rënda janë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Thaçi, për rolin e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, derisa Veseli për rolin e tij si shef i Shërbimit Informativ të Kosovës.