Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, vizituan sot panairin e tretë universitar “Education USA” në Prishtinë.
Shumë studentë nga Kosova vizituan këtë panair për t’u interesuar rreth procedurave të aplikimit në universitetet e Amerikës, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se po e vëren entuziazmin e studentëve për të studiuar në universitetet prestigjioze amerikane.
Bytyqi theksoi se duhet të bëjnë përpjekje që këta pas përfundimit të studimeve t’i kthejnë në Kosovë.
“Duhet t’i falënderojmë universitetet amerikane që janë të gatshëm gjithmonë t’i pranojnë të rinjtë tanë. Ajo çka është më e rëndësishmja, po e vërej entuziazmin, interesimin e madh që kanë studentët tanë, por edhe gatishmërinë e universiteteve. Në disa biseda të shkurtra që patëm me to, ne kemi pasur një numër të studentëve ndoshta jo të madh që kanë qenë në këto universitete dhe ata janë ndarë shumë të kënaqur me studentët tanë”.
“Ajo që vazhdimisht e themi, ne kemi studentë të mirë por ne duhet t’u krijojmë kushte studentëve tanë që të arrijnë sukses. Të rinjtë tanë është mirë të shkojnë në këto vende, sepse këto universitete janë shumë larg universiteteve tona, por kthimi i tyre do të ishte i mirë sepse ne duhet të bëjmë përpjekje edhe t’i kthejmë, jo vetëm t’i dërgojmë atje. Ne duhet të kemi plan nacional për kthimin e tyre”, shtoi kreu i MASHT-së.
Edhe ambasadori Greg Delawie u shpreh i impresionuar me këtë panair, duke thënë se është mundësi e mirë që studentët të takohen me përfaqësuesit e universiteteve amerikane.
Ai shtoi se studentët kosovarë që studiojnë në Amerikë, kur kthehen në Kosovë japin kontribut të jashtëzakonshëm për vendin e tyre.
“Kjo është mundësi shumë e mirë për studentët dhe nxënësit të takohen me përfaqësuesit e universiteteve në ShBA. Njoh shumë studentë që kanë studiuar në ShBA dhe janë kthyer këtu, dhe kontributi që japin këta studentë kur kthehen në Kosovë është jashtëzakonisht i madh. Aftësitë e të menduarit kritik dhe lidhjet globale që ata i bëjnë jashtë vendit, i shfrytëzojnë ato në pozita udhëheqëse në biznes, qeveri dhe komunitetin e tyre. Ne jemi shumë krenarë që ofrojmë bursa sikur Fullbright-i që sjellë studentët e Kosovës për master. Përveç programeve tona ka edhe shumë mundësi tjera”.
Nxënësja Esma Fera nga Gjilani tha për Ekonomia Online se ka ardhur për të shikuar mundësitë e aplikimit në ndonjë nga universitetet amerikane. Ajo beson se mundësia për tu pranuar është e vogël, por shpresat e saj janë shumë të mëdha.
“Kam ardhur ta shikoj panairin dhe si shkon mënyra për të aplikuar në këto universitete dhe cilat janë mundësitë për tu shkolluar në këto universitete. Mundësitë janë shumë të vogla, por shpresat të mëdha. Mendoj se nga suksesi jonë apo nga kryerja e testeve mendoj që do të kem sukses”.
E pyetur se nëse do të pranohej në ndonjë universitet amerikan, pas studimeve a do të kthehej në Kosovë, ajo tha se do të qëndronte në ShBA sepse universitet atje ofrojnë më shumë mundësi sesa ato në vendin tonë.
“Por tash varet, atje është më mirë. Shkollimi dhe vet universitetet që këta i kanë prezantuar japin më shumë mundësi për neve sesa universitetet në Kosovë”.