Lëvizja Vetëvendosje ka shlyer nga faqja zyrtare e partisë një numër të madh të komunikatave në të cilat shpreheshin qëndrimet e partisë për figura të ndryshme e procesesh politike. Përveç komunikatës për Joe Biden e KFOR-in, kjo parti ka shlyer edhe komunikatën në të cilën kritikoheshin deklarata e presidentit amerikan Geroge W Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë. Këto deklarata Vetëvendosje i kishte cilësuar si naïve dhe të pavërteta.
Me titullin “Dekonstruktimi i cliché-ve me çekiç”, kjo komunikatë përveç tjerash fliste për deklarimet e ish-presidentit amerikan George Bush në Tiranë, ndërsa shkruanin se në fillim të fjalës së tij për Kosovën, ai po ashtu deklaroi se është përkrahës i fuqishëm i pakos së Ahtisaarit.
E në lidhje me këto, Vetëvendosje, shkruante se deklarime mediale se Bush e shpalli pavarësinë e Kosovës në Tiranë janë absolutisht të pavërteta dhe naive.
“Prandaj deklarimet mediale se Bush e shpalli pavarësinë e Kosovës në Tiranë janë absolutisht të pavërteta dhe naive. Bush nuk e bëri një gjë të tillë në Tiranë. Bush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë askund”, thuhej në këtë komunikatë.
Po ashtu, aty shkruhej se pavarësia e Kosovës duhet të vijë nga populli i Kosovës, derisa thoshin se shteti realizohet njëherë e njohja vjen më pas.
“Pavarësia e Kosovës duhet të vijë nga populli i Kosovës. Atëherë kur ne e shpallim dhe e mbrojmë atë pavarësi, do të jetë momenti kur ne do të jemi vërtetë të pavarur. Ishte deklarimi i popullit të Malit të Zi tash së fundi ai që e bëri Malin e Zi shtet të pavarur. Ishte forca në terren që e mbrojti atë deklarim. Për shkak se shteti realizohet njëherë. Njohja vjen më pas”, thuhej tutje në komunikatën tashmë të fshirë të VV-së, raporton Insajderi, trasnmeton Express.
Tutje, kjo komunikatë vë në pikëpyetje edhe punën që SHBA-të asokohe bënin për Kosovën
“Kohëve të fundit është përfolur shumë për përkrahjen që ShBA-të po i ofrojnë Kosovës. Nga deklarimet e Grupit të Unitetit dhe nga disa raportime të mediave fitohet përshtypja se ShBA-të nuk merren me asgjë tjetër përveç me Kosovën. Kjo nuk është aspak e vërtetë”, shkruante VV-ja.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje, ka ndërmarrë një aksion për të fshirë nga faqja zyrtare e saj të gjitha komunikatat që janë publikuar deri në vitin 2014.
Në mesin e komunikatave që është larguar nga faqja është edhe ajo e 3 prillit 2013, në të cilën Vetëvendosje thoshte se shteti i Izraelit është ngritur mbi krimin e drejtpërdrejtë ushtarak e ekonomik të ShBA-së e vendeve tjera perëndimore.