Duke fshehur ADN-në në nukleusin e qelizës së infektuar, herpes viruset qëndrojnë inaktivë gjatë gjithë jetës dhe mund të aktivizohet vetëm nga faktorë të jashtëm.
Hulumtimet e fundit kanë arritur të gjejnë një lidhshmëri mes përgjigjes së qelizave ndaj stresit, rregullimit ciklik të këtyre qelizave dhe riaktivizimit të virusit. Dihet se stresi arrinë t’i “zgjojë” këta parazitë nga e ashtuquajtura – faza latente – duke i aktivizuar qelizat e reja pasardhëse. Ky proces mundëson shumimin dhe përhapjen e virusit sidomos në lëkurën e dëmtuar, siç është rasti i virusit Herpes Simplex.
Disa lloje të Herpesit që janë onkogjenikë- mund të shkaktojnë tumore.
Duke kërkuar për faktorë qelizorë të cilët mund të përfshihen në reaksionet onkogjenike të disa llojeve të herpesit, nje grup hulumtues në krye me Paivi Ojala nga Universiteti i Helsinkit në Finlandë, panë një lidhje mes sarkomës Kaposi dhe virusit Herpes të cilën ata e quajtën KSHV.
Gjithashtu ata arritën të identifikojnë një mekanizëm sipas të cilit, gjendja e stresit favorizon prodhimin e qelizave të reja virale.
Studimi është bërë me anë të kombinimit të teknologjisë më të avancuar mikroskopike, dhe teknikave manipuluese gjenetike, të cilat kanë dëshmuar që stresi shkakton aktivizimin e disa proteinave që konsiderohen si “sensorë të stresit” siç janë p53 dhe p21, dhe që krijojnë një ambient të përshtatshëm për riprodhimin e gjeneve virale, të cilat pak orë pas aktivizimit pengojnë ciklin e ndarjes të qelizave normale dhe rritin nivelin e riprodhimit të tyre.
Hulumtimet tregojnë se si heqja e kësaj proteine p21, me anë të metodave manipuluese gjenetike, kthen ciklin normal të ndarjes së qelizave të shëndetshme. E rëndësishme është se riaktivizimi i ciklit normal të qelizave përkon me uljen e shpejtësisë së riprodhimit të qelizave virale.
Këto gjetje sigurojnë një lidhje direkte mes përgjigjes së qelizave ndaj stresit, rregullimit të ciklit qelizor, dhe riaktivizimit të virusit.
Duke i kuptuar proceset molekulare fiziologjike qe e lidhin stresin me virusin Herpes, hulumtuesit besojnë në strategji të reja antivirale të cilat mund të përdoren për trajtime të tumoreve të shkaktuara nga viruse onkogjenike siç është rasti me PEL, për të cilin nuk ka ende kurë.