Miliarda vite më parë dita mesatare në Tokë zgjaste më pak se 13 orë dhe sot ajo po vazhdon të rritet. Arsyeja qëndron në ndërveprimin midis Hënës dhe oqeaneve tona.
Gjatë gjithë historisë njerëzore, Hëna ka qenë një prani e pandashme mbi Tokë. Tërheqja e saj e butë gravitacionale vendos ritmin e baticave, ndërsa drita e saj e zbehtë ndriçon qiellin e natës.
Më e rëndësishmja, Hëna mund të ketë ndihmuar në krijimin e kushteve që e bëjnë të mundur jetën në planetin tonë, sipas disa teorive.
Por Hëna po largohet nga Toka.
Ndërsa performon astro-baletin e sj të ekuilibruar rreth Tokës, ajo gradualisht po largohet nga planeti ynë në një proces të njohur si “recesioni hënor”. Duke lëshuar lazer nga reflektorët e vendosur në sipërfaqen hënore, shkencëtarët kohët e fundit kanë qenë në gjendje të masin me saktësi se sa shpejt po tërhiqet Hëna.
Ata kanë konfirmuar se Hëna po largohet me një shpejtësi prej 1.5 inç (3.8 cm) çdo vit. Dhe ndërsa e bën këtë, ditët tona po bëhen gjithnjë, pak më të gjata.
“Ka të bëjë me baticat”, thotë David Waltham, profesor i gjeofizikës në Royal Holloway, Universiteti i Londrës, i cili studion ndërveprimin midis Hënës dhe Tokës. “Zvarritja e baticës në Tokë ngadalëson rrotullimin e saj”.
Gjatësia e një dite mesatare të Tokës është rritur me rreth 1.09 milisekonda në shekull që nga fundi i viteve 1600, sipas analizave të fundit.