Si të mbijetoni kur punoni 60 orë në javë?

Prishtinë | 10 Maj 2023 | 20:08 | Nga Ekonomia Online

Nuk është e pazakontë që njerëzit punojnë rreth 60 orë në javë, por disa persona gjenden shpesh në këtë lloj orari. Nëse ju jeni një prej tyre, mund të ndiheni i mbingarkuar. Kjo mund të ndikojë në shëndetin dhe produktivitetin tuaj.

Ajo mund të shkaktojë probleme që lidhen me punën, deri në kolaps (fizik ose mendor që lidhet me mbingarkesën). Kjo është ironike, pasi në momentin kur ju duhet të punoni me gjithë energjitë tuaja, kolapsi mund t’ju bëjë që të ndiheni se ju mund të bëni gjithçka tjetër veçse punën tuaj.

Më poshtë janë disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të mbijetoni kur ju punoni të paktën 60 orë në javë.

Kujtohuni që të bëni pushime të shkurtra

Edhe pse është e rëndësishme që të qëndroni të fokusuar në punën tuaj, është po aq e rëndësishme që ju të bëni pushime të shkurtra prej saj. Kjo mund të duket kontradiktore. Nëse ju merrni një pauzë të vogël nga puna juaj, kjo nuk do të thotë që do t’ju duhet shumë kohë për ta përfunduar atë. E kundërta është e vërtetë. Pasi keni punuar për një projekt për një kohë të gjatë, ju mund ta humbni përqendrimin. Aftësia juaj për t’u fokusuar sërish në punën tuaj do të përmirësohet pasi ju të bëni një pushim të shkurtër.

Ruajeni rutinën e ushtrimeve

Një periudhë e ngarkuar në punë mund të mos jetë koha më e mirë për të nisur për shembull palestrën. Por nëse ju ndërkohë shkoni rregullisht në palestër, mos e lini atë në këtë moment.
Të bërit e ushtrimeve redukton stresin. Stresi në punë mund të shkaktojë shumë probleme në shëndet. Sa më pak probleme në shëndet, aq më mirë është për ju. Gjeni kohë të bëni disa ushtrime, para se të shkoni në punë ose pasi ktheheni në shtëpi. Nëse nuk mund ta bëni dot këtë gjë, një shëtitje gjatë pushimit të drekës do t’ju bënte mirë.

Gjeni kohë për t’u çlodhur

Shumë njerëz që punojnë rreth 60 orë në javë, mund të përfytyrojnë një rutinë të tillë: të shkosh në punë, të rikthehesh në shtëpi, të flesh dhe… rifillim nga e para. Dhe se nuk kanë kohë për asgjë tjetër. Ju duhet të bëni se z’bën diçka që të thyeni rutinën tuaj, përndryshe më keq për ju! Gjeni pak kohë për të parë një film, të shkoni në një piknik ose thjesht të çlodheni dhe të kaloni kohë të bukur me miqtë tuaj. Nëse ju nuk gjeni pak kohë për t’u çlodhur, ju do t’i ndieni pasojat në punën tuaj.

Pini shumë ujë

Është e domosdoshme që të qëndroni të hidratuar, jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen tuaj. “Uji është i rëndësishëm për funksionimin e mirë të trurit”, thotë dietologia Shereen Lehman.
“Nëse ju keni probleme me përqendrimin, mund të jetë koha për të pirë pak ujë”, – thotë ajo.
Nëse uji nuk ju pëlqen shumë, ju mund t’i shtoni ndonjë fetë limoni, portokalli ose molle (ose të tria bashkë) – në këtë mënyrë ju do të pini diçka freskuese dhe pa shumë kalori.

Limitoni sasinë e kafeinës

Shumë njerëz kur punojnë për orë të gjata, konsumojnë pije me kafeinë si për shembull kafe apo pije të tjera me kanoçe.
Ndërkohë që këto pije ju ndihmojnë të qëndroni të fokusuar për pak kohë, kalimi i masës mund të rrisë ankthin dhe t’ju shkaktojë probleme me stomakun. Mos hiqni dorë nga kafeja – të paktën gjatë kësaj kohe – por mos e ekzagjeroni. Gjëja e fundit që keni nevojë gjatë të punuarit me orare të gjata janë problemet me stomakun.

Shmangni të punuarit shtatë ditë në javë

Kur ju keni shumë për të punuar, mund të duket se është më mirë që ju të mos reshtni së punuari asnjë ditë. Kjo është një ide tmerrësisht e keqe. Do të jetë thuajse e pamundur që organizmi juaj t’i mbijetojë këtij ritmi. Ndoshta ju e keni të pamundur të pushoni për gjatë gjithë fundjavës ose dy ditë radhazi, por ju duhet të përpiqeni të pushoni të paktën një ditë të tërë. Kjo është e domosdoshme për të rifreskuar mendjen dhe trupin tuaj. Kur ju të riktheheni në punë ju do të jeni në një gjendje shumë më të mirë për të bërë punën tuaj.

Mos e ekzagjeroni me ushqime të pashëndetshme

Kur ju punoni për orë të gjata, ushqimi i pashëndetshëm mund të duket zgjidhja më e mirë. Është i shpejtë dhe i shijshëm dhe ideal për një rast të tillë. Kjo është e vërtetë kur ju jeni të stresuar dhe ju dëshironi ushqime të kripura ose ëmbëlsira. Edhe pse ju ndoshta nuk keni kohë për të përgatitur një vakt të shëndetshëm, ju mund të përgatisni sallatë e ta merrni me vete. Shtojini një vezë të zier dhe mish pule për të marrë proteinat e nevojshme. Blini pranë marketit më të afërt edhe frutat e stinës.

Flini mjaftueshëm

Ekspertët thonë se të rriturit duhet të flenë mesatarisht tetë orë. Disa mund të duan të flenë pak më shumë, të tjerë më pak. Në të kundërt ju do ta keni shumë të vështirë të bëni punën tuaj dhe të përqendroheni gjatë ditës.

Ju duhet të përpiqeni të shkoni në krevat në të njëjtën orë dhe të zgjoheni në të njëjtën orë çdo ditë – këshillojnë ekspertët. Po ashtu një pushim i shkurtër 15 – 20 minuta gjatë ditës mund t’ju ripërtërijë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme