Të gjitha planet ushtarake për bërjen e një lufte bien në ujë si të shkrepet plumbi i parë.
Luftërat rëndom fillojnë kur dështojnë politika dhe diplomacia, por ato zakonisht marrin fund me politikë dhe me diplomaci.
Këto dy mësime të arta të përvojës në luftë dhe në politikë, sërish janë aktuale në rrafshin ndërkombëtar, tani kur ka paralajmërime të qarta që lufta në Ukrainë do të mund të adresohet, në synim për t’i dhënë një epilog (të përkohshëm apo afatgjatë, kjo mbetet të shihet) këtij konflikti që në muajin shkurt hyri në vitin e katërt të tij.
Këto dy mësime janë pranuar pak a shumë edhe në Moskë dhe në Kijev.
Planet e Rusisë së Vladimir Putinit, atje në dimrin e vitit 2022, ishin që për një kohë fare të shkurtër, që matej me javë (e në Perëndim mendohej madje që kjo kohë njihte ditët si njësi matjeje), të okupojë gjithë Ukrainën dhe të imponojë pushtetin e vet në këtë shtet, të dirigjuar nga Kremlini.
Shtatë muaj më pas, kur u kuptua që një gjë e tillë është e pamundur të arrihej, Putin evoluoi në planet e tij: Atëherë (dhe sot e kësaj dite), synimi i Rusisë është që të aneksohen katër rajone me shumicë ruse në anën lindore të Ukrainës.
Betejat e intensifikuara të javëve të fundit të Ushtrisë ruse kanë të bëjnë pikërisht me rrumbullakimin territorial dhe ushtarak të këtyre katër rajoneve, sepse Ushtria e Ukrainës ende po reziston brenda këtij hapësire tokësore të aneksuar.
Natyrisht, Moska zyrtare dëshiron që të krijojë asi avantazhe ushtarake në këto katër rajone, saqë ato pastaj do të reflektohen (domosdo), edhe në negociatat e pashmangshme për fundin e luftës në Ukrainë, për të cilat insiston, që nga dita e parë e kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i Amerikës Donald Trump.
Synimet maksimaliste të Moskës zyrtare janë që të formalizohet në rrafshin e Rendit ndërkombëtar bashkimi i katër rajoneve në lindje të Ukrainës dhe i gadishullit të Krimesë me Rusinë, që Ukraina të mos hyjë në Aleancën Veri-Atlantike dhe që të mos ketë prani ushtarake ndërkombëtare brenda territorit të Ukrainës.
Në anën tjetër, Volodymyr Zelenskyy, Presidenti i Ukrainës dhe udhëheqësia e këtij shteti në përgjithësi, e kanë të qartë që nuk mund ta fitojnë luftën me Ukrainën, duke kthyer nën kontrollin e tyre këto rajonet e okupuara dhe Krimenë.
Perëndimi, realisht, asnjëherë, as në kohën kur President i Amerikës ka qenë Joseph Biden, nuk ka mbështetur aq sa duhet Ukrainën për ta arritur këtë qëllim, sepse në atë rast do të rrezikohej një luftë totale me Rusinë, të cilën gjë askush nuk e dëshironte në kryeqendrat perëndimore.
Megjithatë, njëlloj si Moska e Vladimir Putinit, edhe Kijevi i Volodymyr Zelenskyyt, dëshiron që të jetë sa më i avancuar në fushëbetejë (e cila tash e sa kohë shtrihet edhe brenda territorit të Rusisë, siç u kuptua me sulmin spektakular me dronë që ndodhi vetëm pak ditë më parë), gjë që pastaj do të ketë pasoja në mënyrën se si do të zhvillohen negociatat dhe cili do të jetë përfundimi i tyre.
Pushteti në Ukrainë mëton ta ruajë disi sovranitetin dhe tërësinë formale territoriale të këtij shteti, si dhe të sigurojë garanci ushtarake ndërkombëtare që luftë më nuk do të ketë në trajtë të një agresioni rus.
Pozicioni i SHBA-së dhe i Evropës karshi rrugës që duhet të marrin negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë ka një pikënisje të njëjtë por pikarritje të ndryshme.
Pikënisja e përbashkët e SHBA-së dhe Evropës është që kjo luftë është rraskapitëse dhe shumë e kushtueshme (në të gjitha aspektet e mundshme), për të gjithë, që më nuk mund të ketë ndryshime dramatike në front, prandaj, rendi është që një herë të arrihet armëpushimi e pastaj edhe paqja.
Megjithatë, teksa Administrata e Presidentit Trump vlerëson që Kijevi duhet të pranojë edhe formalisht humbjen e Krimesë dhe de fakto humbjen e këtyre katër rajoneve, Evropa ka qëndrim që bisedimet në mes të dy palëve duhet të fillojnë nën supozimin që Ukraina i ka kufijtë aty ku i ka pasur para agresionit të parë rus pas okupimit të Krimesë në vitin 2014.
Vështirë është që mund të ketë Marrëveshje paqësore në mes të Ukrainës dhe Rusisë pa unifikimin e qëndrimeve të Perëndimit./Klan Kosova/