Xhandarmëria e Kosovës, projekt për siguri shtetërore apo deformim i rendit kushtetues?

Prishtinë | 22 Maj 2026 | 10:13 | Nga Hisen Berisha

Pyetja më logjike që sot duhet ta shtrojë secili qytetar me kulturë shtetërore, kushtetuese dhe institucionale është se, mbi çfarë baze kushtetuese dhe ligjore po synon Qeveria e Kosovës ta themelojë të ashtuquajturën “Xhandarmëri të Kosovës”?

Kjo pyetje nuk është politike. Është thelbësisht kushtetuese dhe shtetformuese.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e ka të përcaktuar qartë arkitekturën e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetit.
Në rendin kushtetues të Kosovës ekzistojnë mekanizma të përcaktuar dhe të legjitimuar për fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës: Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), Policia e Kosovës (PK) dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI). Paralelisht, mbi bazën e mandatit ndërkombëtar, funksionojnë edhe KFOR-i dhe EULEX-i.

Kushtetuta nuk njeh “xhandarmëri” si kategori kushtetuese të sigurisë.
Prandaj, çdo tentim për krijimin e saj me vendim qeverie, pa ndryshim kushtetues, është hyrje në zonë të rrezikshme të deformimit institucional dhe tejkalimit të rendit kushtetues.

Dhe këtu qëndron problemi themelor.

Sepse nëse synohet të krijohet një forcë hibride, policore-ushtarake, që i përgjigjet drejtpërdrejt Ministrit të Punëve të Brendshme, me komandë të centralizuar politike dhe me strukturë operative jashtë arkitekturës aktuale kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë jo me reformë sigurie, por me krijimin e një mekanizmi paralel force në shërbim të pushtetit politik, tani e në të ardhmën.

Një model të tillë sot e ka Serbia.

Një model i ngjashëm është Garda Revolucionare në Iran.

Dhe pikërisht kjo e bën alarmante iniciativën e tandemit Kurti-Sveçla.

Në shtetet demokratike të rajonit që e njohin Kosovën, nuk ekziston një model i tillë i xhandarmërisë i ngritur mbi vendim qeveritar jashtë kategorive kushtetuese.
Turqia, Franca apo Italia posedojnë struktura të tilla, xhandarmëri ose karabinierë, por ato janë kategori të sanksionuara kushtetutshmërisht dhe të ndërtuara mbi tradita shtetërore të konsoliduara.

Madje edhe Serbia, të cilën po e kopjojnë në këtë rast, e ka të sanksionuar me Kushtetutë dhe ligj funksionimin e xhandarmërisë së saj.

Atëherë, mbi çfarë baze kushtetuese do të veprojë “Xhandarmëria e Kosovës”?

A do të ndryshohet Kushtetuta?

Sepse ndryshimi i dispozitave që prekin sektorin e sigurisë dhe karakterin institucional të shtetit kërkon shumicë të dyfishtë, përfshirë edhe 2/3 e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë, konkretisht edhe votat e deputetëve serbë. Sigurimi i të cilave do të ishte indikativ politikisht dhe strategjikisht!

Pra, kjo iniciativë është antikushtetuese, dhe pushteti aktual po synon të krijojë një strukturë force jashtë rendit kushtetues ekzistues.

Për më tepër, gjithnjë e më shumë po krijohet përshtypja se kjo strukturë nuk po ndërtohet për nevoja reale të sigurisë së shtetit, por për t’ia marrë gradualisht kompetencat kushtetuese dhe funksionale FSK-së, duke krijuar një forcë hibride nën kontroll të drejtpërdrejtë politik.
Madje, edhe disa nga figurat që sot promovojnë këtë koncept, gjatë gjithë karrierës së tyre ushtarake nuk janë përballur asnjëherë realisht me strukturat ushtarake e policore serbe, por sot po shfaqen si arkitektë të një modeli që ngjan më shumë me milicitë politike të “zajednicës” së Albin Kurtit sesa me një forcë kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dhe nuk është rastësi që koncepti i “xhandarmërisë” nuk gjendet askund në Kushtetutën e Kosovës, por logjika e saj del pikërisht në trajektoren politike të marrëveshjeve Kurti-Vuçiq-Lajçak, ku janë ndërtuar mekanizma simetrikë dhe modele kompatibile me Serbinë. Prandaj, kjo nuk është reformë sigurie. Është projekt politik, antikushtetues dhe si i tillë duhet të ndalet.

Ky projekt bëhet edhe më absurd kur kujtojmë se Kosova tashmë ka kaluar nëpër një proces të thellë të Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, me ekspertizë vendore dhe ndërkombëtare, nën asistencën teknike-profesionale amerikane të DIRI (Defence Institution Reform Initiative i Pentagonit)

Në atë proces, Kosova ka marrë vendim politik shtetëror për ndërtimin e kapaciteteve të saj të sigurisë dhe mbrojtjes.

Është përcaktuar qartë misioni i FSK-së:

– MIT – mbrojtja e integritetit territorial,
– MUAC – mbështetja ushtarake për autoritetet civile,
– ON – operacione ndërkombëtare.

Po ashtu, me të njëjtën ekspertizë profesionale janë ndërtuar kapacitetet policore të Kosovës, nga njësitë për rend dhe ligj, deri te njësitë elitare për reagim të shpejtë dhe operacione speciale.

Kosova tashmë posedon:

– Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSH),
– njësitë speciale operative,
– FIT – First Intervention Team,
– struktura të specializuara për reagim ndaj terrorizmit, krizave dhe cenimit të rendit kushtetues.

Madje, në mekanizmin ekzistues të sigurisë, Policia e Kosovës është reaguesi i parë, EULEX-i i dyti dhe KFOR-i i treti.

Atëherë, çfarë funksioni real do të ketë “xhandarmëria”?

Sepse të gjitha kompetencat që po tentohen t’i atribuohen xhandarmërisë, tashmë ekzistojnë brenda Policisë së Kosovës dhe strukturave të saj elitare.

Prandaj, ky nuk duket projekt sigurie.
Ky duket projekt politik.

Projekt për krijimin e një force të centralizuar nën kontroll të drejtpërdrejtë politik.

Për më tepër, simbolika e “xhandarmërisë” në Kosovë dhe në Ballkan nuk është neutrale.

Historikisht, fjala “xhandar” për shqiptarët lidhet me represionin, dhunën dhe persekutimin shtetëror.
Xhandarmëria cariste serbe dhe jugosllave ka qenë simbol i shtypjes, terrorit institucional dhe masakrave ndaj shqiptarëve.

Për popullin shqiptar kjo nuk është vetëm terminologji administrative.
Është traumë historike.

Prandaj, tentativa për ta futur këtë model në Kosovë nuk është vetëm problem juridik, por edhe deformim identitar dhe psikologjik i shtetit.

Kosova nuk është ndërtuar mbi modelin e Serbisë.

Kosova është ndërtuar mbi projektin perëndimor dhe amerikan të shtetndërtimit.

Forcat e sigurisë së Kosovës, PK, FAK dhe AKI, janë projektuar sipas standardeve euro-atlantike dhe jo sipas modeleve autoritare lindore apo post-jugosllave.

Ne nuk kemi nevojë të kopjojmë strukturat e Serbisë për të ndërtuar sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë.

Më shqetësues është fakti se ky projekt duket në vazhdën e një politike më të gjerë të transformimit gradual të strukturës funksionale të shtetit të Kosovës në modele kompatibile me Serbinë.

Që nga viti 2021, qeveria Kurti ka ndërtuar marrëveshje dhe politika që në thelb kanë krijuar simetri të rrezikshme në raport me Serbinë:

– targat ilegale serbe nga kohë e regjimit të Millosheviçit, të toleruara për vite;
– pasaportat e Kosovës e “Metohis” për qytetarët serbë të Kosovës, jepen nga “Zyra për Kosovën dhe ….” në Serbi;
– heqja e dokumenteve përcjellëse kufitare, siç ishte letra e bardhë ku viheshin shënimet e stampuara që përmban pasaporta, të cilën Serbia se njeh;
– mosdetyrimi i Serbisë për njohje dhe ndryshim të kushtetutes së saj për dhjetë vite;
– Asociacioni dhe koncepti i autonomisë funksionale, territoriale dhe politike, me Planin Franko- Gjerman dhe Statutin;
– trajtimi me status special të objekteve religjioze dhe vendbazimeve territoriale;
– stërkeqja institucionale, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe statusit sicial, stisja e incidrnte.

Pra, në vend të konsolidimit të identitetit sovran të Kosovës, po ndodh përafrimi gradual institucional me modelin serb.

Dhe në këtë kontekst duhet parë edhe projekti për xhandarmërinë.

Jo si reformë teknike.

Por si pjesë e një transformimi strukturor të shtetit.

Kosova tashmë i ka institucionet e saj të sigurisë.

Ka FSK-në si forcë me mandat ushtarak në tranzicion sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.

Ka Policinë e Kosovës si forcë profesionale të rendit dhe ligjit.

Ka njësitë elitare operative.

Ka AKI-në.

Ka koordinimin me KFOR-in dhe EULEX-in në mekanizmin e reagimit të sigurisë.

Prandaj, krijimi i një “xhandarmërie” të re nuk e forcon shtetin.

Përkundrazi.

Rrezikon:

– fragmentimin e arkitekturës së sigurisë,
– politizimin e forcës,
– dobësimin e Policisë së Kosovës,
– mbivendosjen operative me FSK-në,
– dhe krijimin e një force paralele me lojalitet politik.

Ky nuk është standard perëndimor.

Ky është model i shteteve me tendenca autoritare.

Dhe pikërisht për këtë arsye, ky projekt duhet kundërshtuar fuqishëm, politikisht, juridikisht dhe kombëtarisht.

Të ngjashme