Qeveria në detyrë për nder të 27 vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ka organizuar pritje shtetërore, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një fjalim përkujtimor me rastin e 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke e cilësuar 12 qershorin 1999 si një moment historik të lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosova.
Në fjalimin e tij në pritjen shtetërore, Kurti theksoi se Kosova përbën një “rast studimi” në Evropë për raportin e një populli me lirinë, duke e vendosur luftën çlirimtare në kontekstin e historisë moderne evropiane dhe përballjes së saj me shtypjen dhe mohimin e të drejtave themelore.
“Kam nderin t’ju përshëndes sot këtu, në këtë festë të çlirimit të Kosovës, duke ju dëshiruar mirëseardhje në këtë pritje shtetërore për Ditën e Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor të vitit 1999. Në kontinentin e vjetër të Evropës, aty ku që nga filozofët e antikës e deri tek ata të modernitetit e post-modernitetit është reflektuar aq dendur e aq thellësisht për lirinë, Kosova paraqet një shembull rast studimi e inkurajimi për raportin e një populli me lirinë. Megjithëse në shekullin XX, si shekulli i lufrave botërore, liria e popujve dhe e vendeve ka qenë shumë e cenuar dhe shpesh e mohuar, lufta për lirinë e Kosovës ka zënë një kapitull të veçantë në historinë bashkëkohore të Evropës”, tha Kurti.
Ai u shpreh se për dekada të tëra, Kosova ishte një nga vendet me popullsinë më të shtypur në kontinent.
“Për dekada të tëra, Kosova ishte një nga vendet me popullsinë më të shtypur në kontinent, mbi baza etnike, ku diskriminimi publik dhe shfrytëzimi ekonomik, kufizimet e të drejtave politike e kulturore, si dhe mohimi i lirive njerëzore ishin norma zyrtare të ekzekutuara në trajtë të krimeve shtetërore. Kjo pasi që Kosova ishte pushtuar dhe ripushtuar disa herë nga Serbiа: më 1912, më 1918 e pastaj më 1944, si dhe ishte përfshirë pa vullnetin e popullit shumicë shqiptar të saj, fillimisht në Jugosllavinë e parë mbretërore, e pastaj edhe në Jugosllavinë e dytë federative komuniste, që të dyja të dominuara nga Beogradi dhe nga politikat etnike hegjemoniste”, tha Kurti.
Në pritje shtetërore morën pjesë ambasadorë, krerë të institucioneve si dhe delegacioni nga Shqipëria, në krye me Bajram Begajn.


