Në tregun kapitalist, aplikimi i çdo barriere shtesë kërkon kohë dhe zbatimi i së njëjtës ka efekt gradual. Por, kompleksiteti global i të bërit biznes është aq i paparashikueshëm sot, sa masat destabilizuese mund të jenë gjithëpërfshirëse, dhe dëmi financiar shumë i madh.
Me sa duket, Tesla ishte e përgatitur për skenarin e parë, por për fat të keq iu desh të merrej me këtë të fundit.
Fill pas rikthimit të z. Trump në Zyrën Ovale, balancimet tarifore dhe reciprociteti tregtar ishin ndër masat e para të aplikuara nga administrata e re.
Zbatimi i tarifave shkaktoi një rënie të madhe në tregjet financiare, ndërsa shumë kompani u prekën nga masat proteksioniste. Një nga kompanitë më të prekura ishte padyshim Tesla, udhëheqësi i së cilës, ironikisht për një kohë ishte këshilltar i ngushtë i presidentit Trump.
Pra, po flasim për Elon Musk, i cili ka një rol të rëndësishëm në administratën e re amerikane – luftimin e keqpërdorimeve të parasë publike përmes njësisë ‘DOGE’.
Në anën tjetër, z. Musk ka edhe përgjegjësi të tjera ndaj kompanisë ‘TESLA’ dhe mijëra aksionarëve të saj. Jo rastësisht, çdo veprim që ai ndërmerr komentohet, dhe ofendimet e fundit në platformën X drejtuar presidentit Trump ndikuan në vlerën e aksioneve në treg.
Megjithatë, dhuna asnjëherë nuk arsyetohet, dhe kur flas për dhunën, fjalën e kam për vandalizmin ndaj brendit ‘Tesla’ nga lëvizja radikale ‘Tesla Takedown’.
Shtojmë këtu rënien e shitjeve dhe sentimentin negativ ndaj Elon Musk-ut në Evropë, kjo e fundit kryesisht nga flirtimet e tij me të djathtën ekstreme në Gjermani (AfD), atëherë jo rastësisht shitjet e makinave dhe aksionet e Tesla-së pësuan goditje në tregjet financiare.
Në thelb, asgjë negative nuk po ndodhte me produktet e Teslës.
Përkundrazi, ishte një reagim ndaj veprimeve të Elon Musk dhe tarifave nga z. Trump që ndikuan në rënien e aksioneve në treg. Si pasojë, Tesla dhe shumë brende të tjera amerikane u goditën nga aplikimi i tarifave agresive.
Në gjithë këtë situatë kaotike, ajo çfarë nuk u tha, ose u neglizhua nga analistët financiarë ishte pozicionimi i Teslës në tregun global.
Tesla, si rrallëkush në biznesin ndërkombëtar, mbetet ndër korporatat më të pozicionuara në treg, kjo për shkak të qendrave të prodhimit në të gjitha kontinentet proporcionalisht.
Pozicionimi i Teslës në tregun amerikan njihet nëpërmjet qendrave në Teksas dhe Kaliforni. Në Kinë, Tesla ka qendrën e saj të prodhimit në Shangai, ndërsa në Evropë nëpërmjet qendrës ‘Giga’ Berlin.
Këto avantazhe territoriale e bëjnë brendin Tesla imune ndaj çdo lloj krize tarifore apo politike, kjo për shkak se produktet e prodhuara në këto qendra tregtohen pa taksa shtesë, duke u vlerësuar si produkte vendore.
Komponentë të tjerë mjaft domethënës sa i përket brendit Tesla janë:
AI inovacionet
Automatizimi i automjeteve elektrike dhe
Modeli robot-taksi.
Automatizimi përmes opsionit ‘FSD’ – një produkt që pritet të prezantohet shumë shpejt, padyshim se do të ndikojë në blerjet nga konsumatorët. Dhe nëse produkti rezulton i suksesshëm për miliona përdorues të automjeteve elektrike, atëherë do të kemi një lëvizje parabolike të aksioneve në treg.
Ndërkohë, projekti edhe më inovativ i cili ka shkaktuar shumë zhurmë në treg është robo-taksi, një makinë që funksionon vetëm me softuer.
Këto inovacione rrisin edhe më tepër pritshmëritë për Tesla-në, si nga konsumatorët ashtu edhe nga investitorët, dhe kjo për të vetmen arsye – sa më i suksesshëm del produkti, aq më tepër rriten aksionet.
Megjithatë, duhet theksuar se Tesla ka kaluar nëpër disa luhatje të mëdha këtë vit, por gjithashtu ajo ka arritur të rikuperohet në mënyrë spektakolare, veçanërisht në tremujorin e fundit.
A do të kemi të njëjtën situatë këtë fundvit?
Është e vështirë të parashikohet, por padyshim që aksionet do vazhdojnë luhatjet dhe probabiliteti për të arritur 500 dollarë për aksion – nëse gjërat shkojnë sipas parashikimeve – ose në rastin më pesimist të bien nën 300 dollarë, mbesin opcione reale, edhe pse për shumëkënd duken kontradiktore.
Padyshim se këto ndikohen nga shumë faktorë të lartcekur, por më i rëndësishmi mbetet sjellja dhe postimet e Musk-ut në platformën X, dhe nëse Tesla arrin ta plasojë në treg robotin ‘Optimus’ gjer në fund të vitit.
Këto janë katalizatorët kryesorë për të cilët tregjet, investitorët dhe konsumatorët presin me padurim produktin e radhës nga Tesla, dhe sipas gjitha gjasave, pritjes i ka ardhur fundi.