Si u tradhtua Vetëvendosja?

Prishtinë | 13 Mar 2023 | 10:05 | Nga Afrim Kasolli

Po të shprehemi me gjuhën politike që Albin Kurti e ka përdorur ndër vite kundër oponentëve të tij dhe atyre që nuk janë pajtuar politikisht me të, si njerëz që i kanë tradhtuar idealet kombëtare vetëm për hir të pushtetit, atëherë vetë fakti se i pari i Vetëvendosjes ka pranuar të përfshihet në një proces të tillë negociator ka bërë tradhti ndaj parimeve politike që ka pretenduar se i mbron.

Nuk është me rëndësi a do të nënshkruhet apo nuk do nënshkruhet marrëveshja e fundit për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, as anekset e zbatimit të saj, apo përmbajtja dhe nenet konkrete, por vetë akti në vevëvete i përqafimit të këtij modeli është braktisje e kauzave politike të Vetëvendosjes.

Sepse siç dihet nga të gjithë ne, ky proces nuk bazohet në njohjen e patjetërsueshme të së drejtës së popullit të Kosovës për Vetëvendosje, siç Albini e kishte konceptuar në kontekst të dekolonizimit, por është i bazuar në projektin e normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve, duke shpërfillur parimin e së drejtës.

Natyrisht, gjeanologjia e këtij koncepti daton para se të vinte Albin Kurti në pushtet. Mirëpo, aktiviteti i tij ishte shprehje e përpjekjeve për mobilizim politik kombëtar dhe shoqëror, kundër kësaj paradigme negociatore. Dhe kritika e tij ishte e drejtuar në dy fronte kryesore. E para kundër të kaluarës së drejtueseve politikë të UÇK-së, sepse, sipas të cilit, ata e kishin tradhtuar betimin e ushtarit të kësaj ushtrie për bashkim kombëtar, duke e ndaluar luftën dhe duke hyr në negociata, dhe e dyta që ishte epifenomen i të parës, që po e vazhdonin këtë praktikë në bisedimet e vazhdueshme me Serbinë. Mirëpo, me vendimin e tij, posa erdhi në pushtet, për t’u bërë pjesë e të njëjtit model të dialogut, Albin Kurti e tradhtoi pikërisht kauzën e vetëvendosjes, dhe u përshtatur me atë të normalizimit.

Por e vërteta është se ky model se si është zhvilluar deri më tani, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim t’i normalizojë raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë siç thuhet zyrtarisht, por vetëm si ta normalizojë shoqërinë kosovare, duke e disiplinuar këtë të fundit, me anë të fuqizimit të kompetencave të komunitetit serb, nëpërmjet të drejtave të veçanta kushtetuese në qendër, decentralizmit në nivel horizontal si dhe tash asociacionit si një strukturë e re autonome vetë-menaxhuese, por pa e detyruar Serbinë që ta njoh të drejtën e popullit të Kosovës për shtet.

Dhe këtë linjë sot po e vazhdon edhe Albin Kurti me gatishmërinë tij për planin e fundit evropian, që në esencë nuk dallon nga fryma e negociatave që janë zhvilluar deri më tani në Bruksel. Mbase edhe shënon prapakthim. E që së i tillë ky qëndrim bazohet në një qëndrim thellësisht paragjykues për mundësinë e funksionimit adekuat për shoqërinë kosovare, ngase kjo fundit nuk ka ende kapacitete demokratike vetëvendosese, prandaj duhet të jetë në vazhdimësi e kontrolluar si nga jashtë ashtu dhe na brenda.

Dhe është kjo traditë politike të cilin e ka analizuar filozofi francez M. Foucalt, në librin e tij “Disipline and Punish”, sipas të cilit janë këto praktika të ushtrimit të pushtetit që u etabluan gradualisht si zëvendësim për kategorinë e së drejtës dhe ligjit me anë të normalizmit dhe kontrollimit. Këto teknika të ushtrimit të pushtetit ishin derivuar kryesisht nga modeli i burgut. Ku çdo gjë i nënshtrohej vëzhgimit dhe mbikëqyrjes së rreptë. Kjo edhe është arsyeja se pse sot e kësaj dite qytetarët e Kosovës vardojnë të jenë të vetmit qytetarë të izoluar në kontinent, duke qenë të privuar nga e drejta për të ushtuar pa viza ne zonën Shengen. Duke iu nënshtruar një vëzhgimi rigoroz. E, tashmë është bëre e qartë se fitimi i kësaj të drejte është i lidhur me procesin dialogut dhe gatishmërinë për lëshime të reja.

Kështu, me sjelljet e tij për kompromise të vazhdueshme, fundi i të cilave nuk shihet asgjëkund, kryeministri Kurti përpos që e ka tradhtuar konceptin e vetëvendosjes, po ashtu e ka introjektuar thellësisht atë model, që dikur e kundërshtonte, sipas së cilës normalizimi i duhur i Kosovës arrihet në negociata me Serbinë, e jo në bisedime me Shqipërinë si realizim i së drejtës kombëtare dhe historike për bashkim kombëtar. Kurse ky normalizim mund të gjykohet si i duhur kur shteti i Kosovës mund të kontrollohet nga brenda nga Serbia nëpërmjet komunitetit serb, por pa e njohur të drejtën legjitime të popullit të Kosovës për shtetësi.

Të ngjashme