Në spitalet e Kosovës po mungon pothuajse gjithçka që mundëson funksionimin normal të shërbimeve. Mungojnë fashat, shiringat e shumë lloje të barnave. Herë pas here mungojnë edhe një pjesë e anestetikëve që janë elementare për operacione. Si pasojë vetëm ditët e fundit janë anuluar planet operative në disa klinika, shkruan sot Koha Ditore.
Shkallës së lartë të mungesës së barnave i ka kontribuuar edhe fakti që ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, prej shtatorit deri në fillim të marsit nuk ka hapur tender për asnjë produkt. Këto zvarritje kanë bërë që spitalet të mbesin në të njëjtën ditë pa 300 produkte për të cilat MSh-ja as nuk pati hapur tender për kontraktim para se të shfrytëzohen kontratat e vjetra.
Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ia ka dhënë ministrit Ismaili tri javë kohë për ta rregulluar gjendjen. Nëse kjo nuk ndodh, sipas tyre, punëtorët shëndetësorë nuk do të pranojnë të punojnë në këto kushte.