Një Lionel Messi është i mjaftueshëm që t’i lë pa gjumë mbrojtësit dhe portierët në tërë botën.
Mirëpo, një shkencëtar pohon se ylli i Barcelonës dhe i Argjentinës do të mund të klonohet dhe të krijohet edhe një Messi tjetër.
Arcadi Navarro, Drejtor i Arkivit Europian të Gjenomit (European Genome Archive), ka deklaruar se teknologjia e sotme mund ta lejojë kopjimin e magjistarit futbollistik.
“Po, ne mund ta klonojmë Messin me teknologjinë aktuale dhe ta përfitojmë një individ tjetër shumë të ngjashëm me të”.
“Kjo do të ishte njëjtë sikur nga dy binjakë njëri të kishte qenë i ngrirë për 20 ose 30 vjet”.
Mirëpo, ekziston një problem.
Çdo individ potencial “Messi 2” do të duhej të kalonte përmes procesit të njëjtë zhvillimor për t’i arritur majat spektakulare të yllit të Barcelonës, i cili konsiderohet ndër më të mirët e të gjitha kohërave.
“Kloni do ta kishte potencialin e njëjtë, por kualitetet e Messit kanë komponentë gjenetike që janë të ndikuara edhe nga arsimimi dhe ambienti”.
“Messi nuk është ai që është vetëm për shkak të gjenetikës, por edhe për të gjitha që i ka përjetuar përmes arsimimit, jetës në La Masia [akademia e të rinjve të Barcelonës], trajtimit që e ka marrë. Gjenetika na jep potencial, por është detyrë e jona që ta realizojmë atë”.
Klonimi njerëzor është i ndaluar në shumë vende, kurse një deklaratë e OKB-së e vitit 2005 u bën thirrje shteteve që ta ndalin atë pasi “është i papërputhshëm me dinjitetin njerëzor dhe mbrojtjen e jetës njerëzore”.
Sipas të gjitha gjasave, mbrojtësit e ekipeve të futbollit do të jenë të qetë edhe për një kohë, ndonëse klonimi i Messit mund të jetë më afër seç e mendojmë.